Kulturë

Teatri Kombëtar në Prishtinë anulon 12 shfaqje në 6 muaj

Të martën në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë qëndruar rreth 50 veta deri në orën 20:00. Pikërisht në kohën kur është dashur të hapeshin dyer për të hyrë në sallë, ku kishin planifikuar të shihnin shfaqjen “Arturo Ui”, atyre u është dhënë një lajm. Një prej punonjësve të institucionit më të lartë teatror në vend u ka thënë se shfaqja është anuluar.

Shumica i janë kthyer prapë biletarisë duke lënë biletat për t’i tërhequr prapa paratë e paguara për to. Por historia e publikut të Teatrit Kombëtar të Kosovës në raport me anulimin e shfaqjeve nuk zë fill të martën. Sa i përket këtij viti shfaqja “Arturo Ui”,me regji të Bekim Lumit, mban rekord sa i përket anulimit. Është anuluar katër herë. Dy herë në prill e dy të tjera në qershor. Janë gjithsej 12 shfaqje që nga fillimi i janarit e deri të mërkurën janë anuluar në TKK. Për regjisorë e dramaturgë kjo gjendje nuk është aspak e mirë e mund të dëmtojë edhe marrëdhëniet me publikun. Mesatarisht i bie që TKK-ja të ketë anuluar dy shfaqje brenda një muaji. Për dallim nga ky institucion, Baleti Kombëtar i Kosovës, që funksionon në të njëjtin kulm me Teatrin, edhe pse jep numër më të vogël shfaqjesh në vit, mbi 50, nuk ka anuluar asnjë reprizë.

Teatri Kombëtar i Kosovës nuk ka lëshuar kurrfarë lajmërimi për anulimin e shfaqjes “Arturo Ui” edhe për të mërkurën, pavarësisht se një gjë e tillë është ditur qysh të martën.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore)