Asimilimi e tkurrja e territorit, të përhershëm në historinë shqiptare

Asimilimi e tkurrja e territorit, të përhershëm në historinë shqiptare

Salih Mehmeti 20 June 2019 08:31

Kur ishte krijuar shteti shqiptar në vitin 1913, albanologu kroat Milan Shuflaj (Šufflay), i kishte krahasuar territoret shqiptare të shtetit të ri me iriqin, i cili kur tkurret zë gjysmën e vëllimit të madhësisë së tij normale.

Si pasojë e një tkurrjeje të vazhdueshme shekullore trevat shqiptare nga Budva e Kosova në veri e deri poshtë në jug kanë ndjekur procese komplekse historike prej asimilimit e deri te spastrimi etnik. Kjo histori mijëvjeçare e ndarë në subjekte të ndryshme ishte boshti i dhjetëra kumtesave që u lexuan të mërkurën në sesionin kushtuar historisë në Institutin Albanologjik.

Në ditën e tretë, me të cilën edhe u përmbyll “Java e Albanologjisë”, historianë, arkeologë e studiues trajtuan aspekte të ndryshme nga historia antike, mesjetare dhe nga ajo moderne në tri seancat e historisë në temën “Problematika e gjeografisë historike në hapësirat albanofone”.

Në kumtesën e parë të lexuar në sesionin e historisë, arkeologu Naser Ferri ka shtjelluar historinë e rajonit të Pejës gjatë periudhës së Perandorisë Romake. Sipas tij, ky rajon ka qenë që nga kohërat më të lashta i lidhur me rrjetën rrugore dhe në kontakt me qytetërimet dhe popujt e tjerë.

“Në periudhën dardane janë zbuluar varreza princërore në Banjë të Pejës me pajime luftarake e stoli luksoze”, ka thënë ai. Profesor Ferri ka shtuar se gjetjet arkeologjike, sidomos ato të qeramikës, dëshmojnë se ky rajon kishte lidhje të ngushta me viset e tjera ilire, por edhe me Greqinë.

Specialisti i historisë mesjetare, Pëllumb Xhufi ka paraqitur kumtesën e tij “Të dhëna të reja mbi proceset e asimilimit etnik e të rrudhjes hapësinore të popullit shqiptar”, duke u përqendruar në përvojat e asimilimit të shqiptarëve në jug dhe në veri.

Shafi Gashi, arkeolog në Institutin e Arkeologjisë, në kumtesën e tij ka paraqitur gjendjen e kërkimeve arkeologjike për periudhën e bronzit të vonë dhe të hekurit të hershëm në territorin e Kosovës. Sipas tij, “kjo periudhë ka qenë shumë pak e hulumtuar, madje edhe është interpretuar në mënyra të ndryshme”.

Në kumtesën e radhës, arkeologu Arianit Buçinca ka shtjelluar praninë e toponimit Dardani, që, sipas tij, ndeshet edhe përtej rajonit historik me të njëjtin emër.

Ndërkaq Ylber Hysa, hulumtues shkencor në Institutin Albanologjik, ka analizuar Kosovën në kontekstin e Bizantit të vonë.

Historiani Ardian Muhaj ka paraqitur një hipotezë të re mbi emërtimin e Dukagjinit, që, sipas tij, është një nga më të rëndësishmit në historinë dhe gjeografinë shqiptare. Ai ka hedhur poshtë mendimin që emërtimi i kësaj krahine shqiptare të jetë i lidhur me emrin e ndonjë personi historik, siç është menduar shpesh për kodifikuesin e Kanunit, Lek Dukagjini.

”Hulumtimet e fundit dëshmojnë se emërtimi Dukagjin është shumë shekuj më i hershëm sesa periudha e supozuar e kodifikimit të kanunit”, ka thënë Muhaj.

Në vijim, Zana Hoxha, arkeologe në Institutin e Arkeologjisë, ka paraqitur kumtesën e saj mbi gjendjen e monumenteve të krishterimit të hershëm në territorin e Kosovës.

Në seancat në vazhdim u paraqitën edhe kumtesa të tjera që trajtonin aspekte nga historia moderne e Kosovës.

Anton Pançev, profesor në Departamentin e Ballkanistikës pranë Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, ka analizuar operacionin ushtarak të Bullgarisë në Kosovë gjatë Luftës së Parë Botërore, kurse studiuesi Sadik Mehmeti ka trajtuar gjendjen e strukturës etnike dhe konfesionale të popullsisë në Vilajetin e Kosovës... (Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme