Kulturë

Institucionet shtetërore larg fuqizimit të kujtesës për luftën

Prishtinë, 19 qershor – Ngjarjet nga viti 1999 vazhdojnë të jenë të freskëta në kujtesën kolektive, pavarësisht se institucionet nuk janë përkujdesur për dokumentimin e dëshmive nga koha e luftës.

Në optikën e sociologëve dhe antropologëve, kujtesa organike është e fuqishme, ajo e studiuesve në konsolidim e sipër, kurse kujtesa institucionale thuajse inekzistente. Dhjetëra kumtesa e analiza empirike sollën aspekte të ndryshme të shoqërisë shqiptare në tri dekadat e fundit.

Në ditën e dytë të “Javës së Albanologjisë”, të mbajtur të martën në Institutin Albanologjik, antropologë, sociologë e studiues nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë trajtuar aspekte të ndryshme të shoqërisë shqiptare në dritën e zhvillimeve të reja politike, ekonomike dhe sociale. Me temën bosht “Lufta, konfliktet dhe kultura në Kosovë - vështrime etnologjike”, sesioni i etnologjisë gërshetoi leximin e kumtesave me bashkëbisedimin e hapur në lidhje me përmbajtjet e tyre.

Nebi Bardhoshi, drejtor i Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në Tiranë, ka analizuar aspekte nga jeta e popullatës shqiptare në kufirin shqiptaro-shqiptar. Duke përkujtuar fate njerëzore qyshkur është vendosur kufiri mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë në vitin 1948, ai ka përmendur frazën e banorëve “na ka zënë bryma”, që, sipas tij, nënkupton mungesën e zhvillimit dhe përtëritjes. Sipas tij, “kufiri është një zonë etnografike, ku mund të lexohen vuajtjet e njerëzve, por edhe raporti i tyre me shtetin”.

“Në Kosovë vazhdon një kulturë më heroike, ku vërehet një magjepsje me shtetin, gjë që mund të shërbejë për lidhjen me të mirë të shoqërisë më shtetin, kurse në Shqipëri ka një çmagjepsje pothuajse të plotë me shtetin dhe theksim të njeriut ekonomik dhe pragmatist“, ka thënë Bardhoshi. Ai ka theksuar se shpesh në Tiranë e Prishtinë flitet për “votë fisnore” nga këto zona kufitare, por në mikroplan ka dallime politike edhe brenda shtëpive. Etnologu Bashkim Lajçi në kumtesën e tij “Ndryshimet në dasmën tradicionale shqiptare në Kosovë pas vitit 1999” trajtoi ndryshimin e zakoneve dhe dokeve martesore në dritën e shndërrimeve ekonomike e sociale në shoqërinë shqiptare.

Raporti i njerëzve me simbolikën identitare ka qenë subjekti bosht i trajtesës së Zanita Halimit, asistente në Departamentin e Antropologjisë kulturore në Universitetin e Prishtinës. Nga hulumtimet e shumta në terren, ajo ka analizuar domethënien e flamurit të Ismail Morinës, i njohur si “Ballisti”, që u shpalos gjatë ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë në Beograd më 14 tetor 2014.

Historiani e gazetari Durim Abdullahu, asistent në Departamentin e Antropologjisë kulturore, ka shtjelluar në mënyrë analitike rolin e dokumentarëve televizivë në krijimin e njohjes kolektive mbi luftën. Ai ka thënë se gjatë dy dekadave të para të pasluftës, televizionet në vend kanë prodhuar qindra dokumentarë të metrazheve dhe formateve të ndryshme, të cilat kanë përcaktuar diskursin publik në Kosovë.

Kumtesat e Nexhat Çoçajt dhe Afet Jasharit kanë trajtuar aspekte më të veçanta të kujtesës kolektive mbi luftën në Shqipëri dhe Maqedoni. Në seancën e dytë të sesionit të etnologjisë, sociologët Shemsi Krasniqi dhe Artan Krasniqi kanë paraqitur rezultatet e kërkimeve në terren në lidhje me perceptimet e njerëzve mbi luftën e fundit.

“Rrëfimet janë të freskëta në popull. Këto të dhëna janë të rëndësishme jo vetëm për drejtësinë, por edhe për aspekte të veçanta të etnologjisë. Gjithçka nga sociologjia dhe antropologjia mund të përdoret në mënyrë të përbashkët”, ka thënë Krasniqi, i cili bashkë me Artan Krasniqin ka paraqitur kumtesën “20 vjet pas eksodit të vitit 1999: kujtesa për atëherë, vlerësimi për sot”. “Kujtesa për luftën paraqitet e fuqishme edhe tek ata që ishin fëmijë pesë-gjashtëvjeçarë në luftë. Por institucionet, duke filluar me moskoordinimin për muzeun e gjenocidit, nuk kanë bërë thuajse asgjë për dëshmitë që do të fuqizonin kujtesën mbi luftën”, ka nënvizuar ai. Lumnije Kadriu ka trajtuar dukurinë e migrimit të kthimit në Kosovë, duke dhënë një historik të këtij procesi.

Aspekte të veçanta të luftës së fundit dhe marrëdhënieve ndërshqiptare u trajtuan në kumtesat e Arber Jasharit, Rini Useinit, Valon Shkodrës, Bubulina Sylës, Dafina Morinës dhe Alisa Gojani-Berishës.

Gjatë ditës, paralelisht me sesionin e etnologjisë, në Institutin Albanologjik u mbajtën edhe dy seanca kushtuar letërsisë. Kumtesat e Arben Hoxhës, Hysen Matoshit, Kristan Jorgos, Gëzim Aliut, Meliza Krasniqi, Virion Graçit, Rovena Vatës, Manjola Brahajt, Sherif Selimit dhe Arlind Farizit kanë trajtuar kryesisht aspekte të veçanta të autorëve të ndryshëm shqiptarë në prozën tregimtare. Edhe gjatë seancës së tyre të sesionit të letërsisë, kumtesat e Sali Bytyçit, Donika Dabishevcit, Fadil Grajçevcit, Agron Gashit, Adil Ollurit, Rozina Kostanit, Afrim Rexhepit, Ermelinda Kashahit dhe Xhevahire Millakut sollën analiza përmbajtjesore nga tematika e romanit dhe prozës moderne shqiptare.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")