Me muzikë dhe vallëzim nën lëvizje të ndryshme, është përmbyllur edicioni i shtatë i Festivalit “FemArt”.
Grupi “Yemadas” ka qëndruar për disa ditë në Prishtinë, ndërsa në skenën e teatrit “ODA” kanë sjellë muzikë me ritme afrikane e të influencuar nga vendet e ndryshme që kanë vizituar muzikantët.
Grupi nga Portugalia, e konsiderojnë ardhjen e tyre në “FemArt” si fillim i një marrëdhënieje të re me Kosovën, pasi që ata shpresojnë që të kthehen përsëri për të sjellë më shumë nga muzika e tyre, raporton “Express” i KTV-së.
“Njerëzit po e duan muzikën tonë dhe sonte është ndryshe për audiencën që të na pres këtu sepse sollëm stile të ndryshme muzikore pasi që kemi përfshirë edhe vallëzim, ku kemi vendosur lëvizjet e fuqishme të grave nga mbarë bota dhe Afrika. Ne përmes vallëzimit e sjellim shprehjen e lirë të grave”, thanë nga grupi “Yemadas”.
“Është një eksperiencë shumë e mirë, është hera e parë që vijmë në Ballkan dhe është krejtësisht ndryshe. Jam i befasuar me pritjen këtu, njerëzit janë shumë të afërt dhe po ashtu është e njëjtë me Portugalinë pasi që dhe ne i presim shumë mirë të tjerët. Këtu jemi ndjerë si në shtëpi dhe kemi mësuar edhe të flasim disa fjalë në gjuhën shqipe”, shtuan ata.
Krahas lëvizjeve artistike të grupit portugez, mbrëmja ka përfshirë edhe vallëzim nga grupi i valltarëve nga Kosova “Evolution Dance” të cilët kanë përcjellë ritmin e muzikës në interaktivitet me publikun.
Mbrëmja është përmbyllur me performancën e artistëve nga Shqipëria, Vitmar Bashës dhe Marsela Çibukaj. Këngëtari Vitmar Basha, para publikut prishtinas, ka promovuar albumin e tij akustik me dhjetë këngë.
Edicioni i shtatë i festivalit “FemArt” ka përfshirë një numër të madh të aktiviteteve që kanë mbledhur artistë nga vende të ndryshme të botës.
“FemArt” këtë vit është realizuar me moton “Me Liri Kundër Marres”.