Kulturë

Prishtina iu bashkua botës me festivalin “Metal United world II”

Descriptive Text

Për shtatë orë, skena e ngritur në amfiteatrin e Gërmisë, u pushtua nga muzika rock e heavy metal.

Festivali “Metal United World Wide II” iu bashkua botës në solidarizimin nëpërmjet muzikës, duke mbledhur në kryeqytet emra të njohur të këtij zhanri muzikor.

Për të dytën herë, në Prishtinë u organizua festivali që mbahet në 70 vende paralelisht.

Tridhjetë për qind e të hyrave nga shitja e biletave do të dhurohen për fëmijët e prekur nga sëmundja e leukemisë, përmes “Cure2Children Kosovë”, raporton “Express” i KTV-së.

Në këtë edicion të festivalit, të ftuar specialë ishin këngëtari shqiptar Eugent Bushpepa dhe rock bendi kosovar “Jericho”.

Bendet e tjera që interpretuan në “Metal United World Wide II”, janë Sunchair, Shlem, Krieg Metal Band, Frisson Band, SOTAP, Land Of Confusion etj.

Për muzikantët pjesëmarrës, ishte kënaqësi të shohin se si gjenerata e re në Kosovë e pëlqen muzikën rock dhe heavy metal.

Për muzikantët e bendit “Sunchair” ishte kënaqësi që u bënë pjesë e këtij festivali në Kosovë.

“Është hera e parë që ne jemi në Kosovë edhe është interesante për mua sepse kam familjen këtu, kam kushërinjtë edhe baba im e ka prejardhjen nga Janjeva. Jemi shumë të kënaqur që kemi ardhur në Kosovë”, ka thënë Oliver Biklic nga bendi Sunchair.

“Ne me shumë dëshirë të madhe do të realizojmë intervistë edhe herëve të tjera. Po ashtu kemi dëshirë që sërish të vijmë këtu . repertori që kemi përzgjedh për sonte, atë që do të luajmë është një mix i këngëve të vjetra dhe atyre të reja. Do jetë një mix i këngëve disa prej të cilave nuk janë dëgjuar ende sepse do të jenë pjesë e albumit tonë të ardhshëm”, shtoi ai.

Galdon Reqica beson se me organizime të tilla, do të nxitet interesimi më i madh për këtë zhanër muzikor.

Ky edicion i festivalit “Metal United World Wide II” u organizua në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, në kuadër të aktiviteteve 20/20 për jubileun e çlirimit.