Kulturë

Oferta e botuesve rrit edhe numrin e vizitorëve në Panair

Foto: Driton Paçarada / KD

Në ditën e dytë të Panairit të Librit fluksi i vizitorëve del të jetë goxha i lartë. Pasditja krijon tollovi sidomos në korridoret hyrëse të kësaj ngjarjeje.

Vizitorët mund të ndahen në dy kategori. Ata që dalin nga ekspozita e librit mund të shihen me qese në dorë, dhe asi që vetëm kanë vizituar shtandet. Të parët në shumicën e rasteve janë të përgatitur paraprakisht se çfarë do të blejnë, transmeton Koha Ditore.

Kurse të dytët kanë dalë që të shohin ofertën dhe të bëjnë një listë librash në mendje. Trendi i vizitorëve del të jetë më i lartë sesa viteve të kaluara. Të paktën shtëpitë e mëdha botuese kanë këtë përshtypje. Por e premtja dhe e shtuna pritet të jenë ditët kur do të dalë në pah rezultati i këtij edicioni.

Letërsia botërore prej autorëve si nobelisti Gabriel García Márquez e deri te Haruki Murakami janë shija letrare e Artan Krasniqit e Liridon Gashit. Dy miqtë kanë vendosur që të blejnë vepra e më pas t’i ndajnë me njëri-tjetrin. Krasniqi pranon se trendi i leximit të shkrimtarëve të mëdhenj e ka prekur edhe atë.

“Normalisht që edhe ne kemi shkrimtarë të mirë, por i takojnë një vendi të vogël dhe reklama për ata është më e zbehtë”, ka thënë ai. Por dyshja pos veprave që janë përcaktuar më herët, do të jenë prapë në Panair për të hulumtuar midis titujve, prej të cilëve mbi 1500 janë të rinj...(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)