Kulturë

Dita e parë e Panairit të Librit, “Fshehtësia e zbulimit të Hanës” e Surroit tërheq lexuesit

Dita e parë e Panairit të Librit, “Fshehtësia e zbulimit të Hanës” e Surroit tërheq lexuesit

Prishtinë, 6 qershor – Entuziastë me shifrat në rritje nga viti në vit sa u përket vizitave në Panairin e Librit, por të brengosur me rënien e regjistrimeve të lexuesve në bibliotekat publike, janë paraqitur të mërkurën organizatorët e ngjarjes më të madhe të librit në Kosovë.

Hapja e edicionit të 21-të të ekspozitës së librit ka shërbyer për t’iu bërë thirrje institucioneve shtetërore që ta kthejnë vëmendjen nga bibliotekat publike. Por mesazhet e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, udhëheqësit e institucioneve kryesore të vendit mund t’i shohin e lexojnë vetëm nëpërmjet mediave. Asnjëri prej tyre nuk ka qenë i pranishëm në hapjen e Panairit. Madje as ministri i Kulturës, Kujtim Gashi. Ashtu sikurse vitin e kaluar, hapja zyrtare e Panairit është bërë në hapësirën e rezervuar për të shënuar ngjarjet e këtij viti që vijnë në kuadër të organizimit.