Kulturë

“Aladdini” i shpëtuar nga efektet speciale

Shpatat janë nxjerrë për “Aladdinin” e kompanisë “Disney”, në sfondin e pëlqimit të kamotshëm të versionit origjinal (aq më shumë Xhindit të Robin Williamsit) dhe shpalosjes fillimisht të dështuar të Will Smithit si pasues i tij, që e bënte të dukej si person i çuditshëm lëkurëkaltër e gjysmëlakuriq. 

Regjisori dhe bashkëskenaristi Guy Ritchie zor se do të mundë të cilësohet sinonim i cilësisë, pas dështimeve me “The Man from UNCLE” dhe “King Arthur: Legend of the Sword”. 

Por kurseni kritikat në këtë rast pasi që “Aladdini” i ri është në të vërtetë tejet argëtues. Është larg të qenit i përsosur, por për dallim prej shumë filmave të rinj të këtij zhanri që janë rrënuar nga pesha e efekteve speciale, si për shembull “Dumbo” i Tim Burtonit, ky film ka arritur që të shpëtojë. Është i gjallërishëm dhe tejet komik, shkruan sot Koha Ditore.

Si komenton një personazh në rastin e përpjekjeve të hershme të Aladdinit për romancë: është “i ngathët, por në një mënyrë të hijshme”. 

Secili film hollywoodian që trajton një mbretëri të imagjinuar arabe do t’i ketë problemet e veta, por “Disney” është munduar t’i shmangë stereotipizimet etnike, të pranishme në animacionin e vet të 1992-s. Sa për fillim, të gjithë aktorët janë më ten të errët (të gjithë aktorët e animacionit origjinal kishin qenë të bardhë). 

Egjiptiano-kanadezi, Mena Massoud, i jep një hijeshi të veçantë Aladdinit, princeshën Jasmine e luan Naomi Scott, aktore britanike me prejardhje indiane derisa holandezo- tuniziani Marwan Kenzari është Jafari i ligë. Në film shfaqet herë pas herë edhe një princ evropian, i luajtur nga Bill Mangnussen.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)