Kulturë

Dhimbja e Ferdonijes trazon Beogradin

Foto: Koha

Dhimbja dy dekadash që vazhdon ende e nënë Ferdonijes për bashkëshortin dhe katër djemtë e humbur në luftë ka ngjallur emocione të forta të publikut brenda sallës në Beograd.

E jashtë saj një grumbull protestuesish kanë kundërshtuar shfaqjen e dokumentarit që dëshmon krimet e regjimit të Milosheviqit në vitin 1999, shkruan sot Koha Ditore.

“Dokumentari më ngjalli emocion, se unë jam nënë dhe e kuptoj shumë mirë vuajtjen që ka kjo grua. Dhimbjen e ndien çdo nënë dhe kjo nuk ka fare lidhje me nacionalizma apo përkatësi etnike”, ka qenë përshtypja e parë e Jelenas nga Beogradi, pas dokumentarit.

Forca të shumta policore nuk kanë lejuar hyrjen e protestuesve brenda hapësirës ku u shfaq dokumentari. Ata kanë qenë në numër më të madh se ditën kur u hap festivali. Për pasojë, pjesëmarrësit janë mbajtur më shumë se një orë brenda hapësirës, “Dorcol Platz Dobraciona 59”, derisa janë shpërndarë protestuesit nga policia serbe.

Image

Dokumentari i realizuar nga Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti ka shpalosur 24-orëshin e Ferdonije Qerkezit dhe thirrjet e nënave të tjera për të zhdukurit e tyre, në edicionin e sivjetmë të Festivalit, “Mirëdita, dobar dan!”.

Filmi, xhirimet e të cilit kanë zgjatur rreth 2 vjet, nis dhe përfundon me vetminë e Ferdonijes, në shtëpinë-muze. Aty jeton e vetme, prej 27 marsit të vitit 1999, kur forcat serbe ia morën para syve familjarët. Heshtjen e dhomës e shoqërojnë vetëm kujtimet e familjarëve, të cilat Ferdonija i ruan me fanatizëm.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, të pagjetur ende konsiderohen 1 653 persona përfshirë shqiptarë, serbë e romë. Të vrarë nga lufta janë 13 mijë e 535 persona. Shqiptarët përbëjnë 10 mijë e 812, serbët 2 mijë e 197, kurse romët, boshnjakët, malazeztë dhe joshqiptarët e tjerë i përbëjnë 526 viktima....(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")