Kulturë

“Sfinga e Gjallë” për vrasjet e drejtësinë e harruar jepet premierë në TKK

Descriptive Text

Vrasja është fjala kyçe rreth së cilës zhvillohet çdo diskutim.

Në skenë dhe jashtë saj sulmohet me fjalë dhe armë, ndërsa vazhdimisht sinjalizohen vrasje dhe kërcime. Rreziku orientohet më shumë tek armiku i brendshëm sesa ai i jashtëm, derisa vihen në pah përplasjet e vrasjet misterioze të njohura si “vrasje politike”, që ndodhën në dekadën e parë të pasluftës, transmeton emisioni Express në KTV.

Personazhet në të zeza nga larg duken si pa identitet. Loja e tyre ndahet në dy tabore politike, në krahun e luftës dhe atë të paqes. Diskursi shndërrohet në atë politik dhe zbutet në kohë zgjedhjesh, e me praninë e ndërkombëtarëve.

Shfaqja tenton ta prekë aktualitetin politik dhe të zgjojë ndërgjegjen e munguar që shpërfaqet edhe më tepër në një vend ku drejtësia mungon.

Teksti i shkruar në vitet e 70-a nga Rexhep Qosja në skenë erdhi i riaktualizuar.

Tematika e shtjelluar në aspektin artistik, erdhi edhe nëpërmjet rrëfimit real. Beriana Mustafa, vajza e Xhamil Mustafës tregoi se si është të jetosh çdo ditë me një pikëpyetje.

Shfaqja çdo herë do ta sjellë në skenë një personazh të tillë, pasi që regjisorja Blerta Rrustemi Neziraj, këtë projekt ua dedikon pikërisht këtyre personave.

Aktorët me lojën e tyre e shndërrojnë skenën në një vend ku dëgjohen lajme, kryhet një ceremoni varrimi, vritet, vajtohet dhe festohet përmes këngës. Ata me emocione, flasin në raport me tematikën e shfaqjes.

“Sfinga e gjallë” u vlerësua si një shfaqje e guximshme që përmes teatrit ka zgjuar një temë të paprekur.

Repriza e parë e shfaqjes “Sfinga e gjallë” në Teatrin Kombëtar të Kosovës shfaqet sonte me fillim në orën 21:00.

Disa nga aktorët që jetësuan shfaqjen janë: Fatmir Spahiu, Adrian Morina, Edona Reshitaj, Ylber Bardhi etj.