Kulturë

“Mirëdita, dobar dan!” në Beograd, me art në kohë tensionesh

Prishtinë, 9 maj – Në edicionin e sivjetmë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, organizatorët do të paraqesin para publikut beogradas filma, shfaqje e vepra të tjera artistike nga Kosova që prekin të kaluarën e dy popujve. Atë të serbëve e të shqiptarëve. Në edicionin e vet të gjashtë, festivali do të hapet në mbrëmjen e 29 majit me filmin “Nëntor i ftohtë” të regjisorit Ismet Sijarina.

Ky film shpërfaq realitetin e viteve ’90 në Kosovë, kur pushteti i atëhershëm serb i kishte nxjerrë shqiptarët nga institucionet pas heqjes së autonomisë së Kosovës më 1989. Filmit dhe hapjes zyrtare të festivalit do t’i paraprijë performanca artistike “Let’s make love” nga Shkumbin Tafilaj. Por publiku i “Mirëdita, dobar dan!” pos historisë së viteve ’90 do të ketë mundësinë që po ashtu nëpërmjet një projekti kinematografik të shohë edhe një prej rrëfimeve më prekëse sa i përket luftës së fundit në Kosovë. Filmi dokumentar “Ferdonija” i Gazmend Bajrit tregon për jetën e gruas nga Gjakova që më 1999 forcat serbe ia vranë katër djemtë dhe bashkëshortin. Deri më 1 qershor, kur edhe do të përfundojë ky edicion i festivalit, do të jepet edhe shfaqja "Kreolet e Ballkanit" nën regji të Enver Petrovcit.

Ngjarjet artistike janë e vetmja pjesë e “menysë” së festivalit. Po ashtu, do të jenë tri debate të ndryshme për të diskutuar çështje lidhur me personat e pagjetur, shkrimin e dramave të reja në Kosovë dhe librat e historisë. Sipas komunikatës së organizatës “Integra”, që është një prej organizatorëve të “Mirëdita, dobar dan!”, së bashku me këto debate do të promovohen tri botime specifike: libri i kujtesës me tregimet e familjeve të të pagjeturve “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, botuar nga “forumZFD” në Kosovë dhe “Integra”, “Një fluturim mbi teatrin e Kosovës”, antologji e dramës bashkëkohore nga Kosova, botuar nga qendra “Multimedia” në Prishtinë e “Beton” në Beograd. Pjesë e promovimeve është edhe ngjarja "Historia e Kosovës në tekstet e historisë së Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë", i shkruar nga Shkëlzen Gashi dhe botuar nga “Alter Habitus”. Performanca përmbyllëse e edicionit të këtij viti do të jetë një koncert i grupit trio “Don’t listen to your neighbours” nga Kosova. E krejt në fund, performanca e DJ “Matale-s” nga Prishtina do ta përmbyllë festivalin.

Rrugëtimi i këtij festivali qysh nga edicioni i parë më 2014 e kishte gjetur frymëzimin te portreti i aktorit shqiptar me nam botëror Bekim Fehmiu. Bazuar në personalitetin e Fehmiut si figurë uniteti, por edhe ndarjeje, organizatorët, “Integra”, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut nga Beogradi, dhe Iniciativa Qytetare në Beograd përpilojnë edhe konceptet e secilit edicion.

(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")