Kulturë

Nesër mbyllet festivali i filmit në Tiranë “Dea Open Air”

Tiranë, 7 maj – Në Tiranë po vijon edicioni i gjashtë i ”Dea Open Air” 2019 në sallën Black Box të Universitetit të Arteve në Tiranë.

Pas filmit hapës “Tri ditë në Kiberon”, kushtuar biografisë së aktores së famshme Romi Shnajder, konkurrimi i Filmit me Metrazh të Gjatë, që është dhe konkurrimi kryesor i festivalit, vijoi me filmin “Ligji i Tretë i Njutonit (Spanjë 2018) ”, kushtuar marrëdhënieve të miqësisë dhe dashurisë në moshën e adoleshencës.

Filmi u shfaq në praninë e regjisorit, Jorge Barrio, i cili në mbyllje të tij iu përgjigj pyetjeve dhe kureshtjes së publikut dhe kineastëve të ftuar. Publikun reagoi me emocion edhe ndaj filmit “Një tregim në Prishtinë” (Prishtinë 2018), me fokus në sfidën e një çifti të ri, vajza e të cilëve sëmuret me leuçemi. Filmin e shoqëronin regjisorja, Burbuqe Berisha, producenti Agron Vula, skenaristja, Getoarbë Mulliqi Bojaj dhe aktorët, Teuta Krasniqi e Donat Qosja.

Publiku i shumtë, që mbush përnatë sallën Black Box të Universitetit të Arteve në Tiranë duartrokiti mbrëmjen e tretë me nostalgji të dukshme edhe filmin “Arbëria” (Itali 2018), kushtuar jetës së komunitetit arbëresh në Italinë e Jugut, i cili vjen përmes fatit të heroinës dhe përpjekjeve të saj në kërkim të identitetit midis aspiratave indivuale dhe rrënjëve familjare.

Filmi u shfaq në praninë e regjisores Francesca Olivieri, producentit, Fabrizio Nucci dhe aktorëve, Brixhilda Shqalsi dhe Anna Stratigo. Programi vazhdon me filmin “Merr atë që puth” (Rumani 2018), i cili shfaqet sonte mbrëma (06.05.) në praninë e regjisores Camelia Popa.

Programi i Filmit me metrazh të gjatë ndiqet dhe vlerësohet nga Juria e filmit me metrazh të gjatë, e përbërë nga Klaudia Landsberger (Holandë), Elia Zaharia (Shqipëri), Belkis Bayrak (Turqi), Anke Hoevig (Gjermani), Valmira Hyseni (Kosovë). Me të njëjtin ritëm kanë vazhduar edhe dy programet e tjera.

Bazuar në vlerësimet e jurive të mësipërme Festivali Ndërkombëtar i Filmit ”Dea Open Air” do të akordojë 15 çmime sipas emërtimit të festivalit.

Edicioni i gjashtë i këtij festivali ka nisur nga data 2 maj dhe do të mbyllet nesër, më 8 maj 2019, në Tiranë/ATSH.

{gallery}