Prizren, 9 prill – Se i ka lënë gjurmët e veta, përderisa vepra e tij ende gjëllin, është dëshmuar me shfaqjen teatrore “Na ishte seç na ishte një Kujtim Paçak”, e dhënë premierë të dielën mbrëma në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren. Me një skenografi që ndërron bashkë me situatat, me lojë që në jo pak momente shpërthen në gjallëri, në shfaqjen me tekst të Nexhip Menekshes, nën regji të Kaltrim Balajt, si në mozaik përmblidhen biografia e portreti i Paçakut, zërit të fuqishëm të komunitetit rom, i cili vdiq në moshën 59-vjeçare, në maj të vitit të kaluar.
Shfaqja hapet me përpëlitjet për dalje nga këmisha e bardhë, që në këtë kontekst vjen me simbolika të shumëfishta. Ndër të tjera, është një lloj beteje me paragjykimet, po jo vetëm. Portreti i Paçakut zbërthehet nëpërmjet kryepersonazhit, koreografit që luhet nga Fatmir Menekshe. Por në portretizimin e tij portretizohen kultura e identiteti rom. Aty shpaloset jeta e vështirë e këtij komuniteti, por edhe tradita e tyre, vallet, muzika e mbi të gjitha gjuha.
“Na ishte seç na ishte...” – që ndër të tjera është inskenuar pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Romëve e për të shënuar 30-vjetorin e veprimtarisë së teatrit amator rom – është krejt në gjuhën rome, titruar në shqip. Në rend të parë në shfaqje është vënë angazhimi i Paçakut të ndjerë në shoqërinë kulturo-artistike “Durmish Asllano”, përkatësisht punën me teatrin amator rom. Portretizohet si një intelektual në promovimin e kulturës së komunitetit rom e në skenë shpaloset puna e tij me teatrin e oktetin rom, vizioni i tij politik, poezia e tij e angazhimi në shoqërinë civile. Nuk mungon as aspekti i shoqërimit të tij me njerëzit e rëndomtë.
Fatmir Menekshe ka pasur barrën kryesore në këtë shfaqje, në rolin e Kujtim Paçakut.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")