Kulturë

“Kopraci” i Molierit në Teatrin e Ferizajt

Kryevepra e një prej dramaturgëve më të rëndësishëm të skenës teatrore botërore, i cili hodhi themelet e komedisë franceze, pritet të inskenohet gjatë muajit prill në teatrin “Adriana” të Ferizajt.

Ngjarja e komedisë “Kopraci”, që fokusohet te njerëzit pasionantë për të grumbulluar e jo për ta shpërndarë paranë, do të vihet në skenë nga regjisorja Elmaze Nura, transmeton emisioni Express në KTV.

Nga ansambli rezident i Teatrit “Adriana” janë përzgjedhur nëntë aktorë për të luajtur personazhet e kësaj komedie.

Ndonëse, teatri i qytetit të Ferizajt vazhdon të ketë probleme me buxhetin, ky institucion po përgatitet edhe për premierën e dytë të këtij viti, pas “Hanibalit të tokës”, që u shfaq në muajin mars.

Nëntëmbëdhjetë aktorë sa numëron trupa rezidente e këtij teatri, nuk kanë kontrata të rregullta dhe ata angazhohen me kontrata që nënshkruhen çdo gjashtë muaj.

Teatri “Adriana”, planifikon që gjatë këtij viti t’i realizojë edhe dy premiera tjera.