Heroinat që marshuan më 23 mars të 1989-s Foto: Koha

Heroinat që marshuan më 23 mars të 1989-s

Rexhep Maloku Rexhep Maloku 23 March 2019 09:24

Serbia kishte marrë të gjitha masat që në Kosovën nën shtetrrethim, askush të mos ia prishte planin për t’ia suprimuar krahinës autonominë me pëlqimin e deputetëve shqiptarë të enjten e 23 marsit 1989.

Nuk kishin bërë punë as marshet dhe grevat e minatorëve, as protestat e gjeratëhershme gjithëpopullore nëpër rrugët e Kosovës. Mirëpo, një ditë më parë, dy shoqet e ngushta, Sanie Aliu e Hatmane Sallauka, atëherë vetëm 20 vjeçe, po trokisnin derë më derë nëpër shtëpitë e fshatit Balaj, nja pesë kilometra në veriperëndim të Ferizajt.

Nuk humbnin shumë kohë në misionin e tyre për ta përçuar rrufeshëm mesazhin që e kishin për gratë e vajzat e fshatit. Në luftë me kohën. I binin shkurt e shqip: Nesër të dilni në ora dhjetë te kryqëzimi i dy rrugëve të fshatit para shtëpisë së Aliut, shkruan sot “Koha Ditore”.

Aty do të niste marshimi i grave të Balajve drejt qytetit, duke thyer disa barrikada policore e këputur dy herë shtratin – atëherë të gjerë – të Lumit Nerodime në dalje të Balajve e në hyrje të Ferizajt. Rrugës do t’u bashkoheshin edhe gratë e vajzat e fshatrave Nerodime e Manastirc, dhe të lagjeve në periferi të qytetit – sidomos të Lagjes së Sherretëve. Turmës do t’i bashkoheshin mijëra qytetarë që po demonstronin në tri pjesë të qendrës së qytetit, të ndarë me njësite speciale e makineri të rëndë për shpërndarjen e turmave.

“Lajmi i marshit tonë në Balaj kishte mbërritur në qytet para neve”, thekson Aliu. “Unë i pata thanë Sanijës një ditë më parë kur u ktheva nga qyteti se mjafton një guri me gju në qytet dhe plas, sepse situata ishte shumë e tensionuar”, ndërhyn Sallauka.

Qëllimi i Aliut dhe Sallaukës u arrit: Të mos kalohej pa kurrfarë pakënaqësie qytetare aprovimi i ndryshimeve kushtetuese që Kosovës ia merrnin statusin e njësisë përbërëse të Federatës së Jugosllavisë, timoni i së cilës po rrëmbehej dhunshëm nga Serbia nacionaliste. Madje u ngritën edhe studentët në Prishtinë. Edhe pakënaqësia studentore lidhej me Balajt.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme