“Zàni i shpirtit” me mesazhin e shumëfishtë për të ardhmen i 16-vjeçares Dëbora Hetemi

“Zàni i shpirtit” me mesazhin e shumëfishtë për të ardhmen i 16-vjeçares Dëbora Hetemi

Fjolla Hajrizaj 19 March 2019 08:52

Me të hyrë në bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani”, vizitorët të hënën mbrëma kanë pasur mundësinë të futën në një botë figurash njerëzore e natyrë të qetë me 30 veprat e Dëbora Hetemit, 16-vjeçares nga Ferizaj, e cila vijon mësimet në klasën e dhjetë në shkollën e arteve “Çesk Zadeja”. Lidhja e saj me artin është e hershme dhe në ekspozitën e parë personale të saj, “Zàni i shpirtit”, shpërfaqet talenti i saj. Me vetëm dy vjet ushtrime në kurse private, ajo ia ka dalë që të krijojë vepra për të cilat siç ka thënë skulptori gjilanas Avni Behluli “edhe artistët e mëdhenj do t’ia kishin lakmi”.

Laramania e temave dhe e ngjyrave simbolizojnë njëherësh edhe kronologjinë e zhvillimit të Hetemit në pikturë. Në mesin e pikturave zënë vend edhe gjashtë vizatime, që i ka bërë diku nga klasa e pestë.

“Besoj që mesazhi im vërehet qartë në secilën mimikë apo vijë, ngjyrë e shtrirë në realitetin e krijuar si vakuum i ambalazhimit të ndjenjave dhe vullnetit, që secila nga ne kemi”, ka shkruar ajo në katalogun e ekspozitës. Hetemi edhe përzgjedhjen e pikturave e ka bërë vetë. Në dimensionet janë “ngrirë” fytyra njerëzish, kafshësh e natyra të qeta. Shumicës së tyre ajo u ka vënë nga një mbishkrim. Në pikturën e parë të katalogut është paraqitur me ngjyra të ndezura një grua ndrydhur në vete nga paragjykimet që ia bën shoqëria për gabimet që i ka bërë. Piktorja ka shkruar se një grua mund edhe t’ua dëshmojë të kundërtën. Fuqia e gruas ka zënë një vend të veçantë në shumicën nga pikturat e saj. Hetemi ka paraqitur disa piktura nudo, për të cilat ka thënë se ka dashur të tregojë se turpi dhe paragjykimi ndaj grave dhe vajzave bën që nganjëherë ato të mos vlerësojnë aftësitë e tyre dhe të mbesin mbrapa me botën. Në disa piktura të tjera portretizohet ngrohtësia e shtëpisë a vlefshmëria e kohës.

Nëna e saj, Natyra Hetemi, ka rrëfyer për gazetën se Dëbora qysh si fëmijë “ekspozonte” pikturat e saj në derën e kopshtit.

Migjena Arllati, profesoreshë e gjuhës dhe kritike e letërsisë, ka thënë se Dëbora Hetemi është paraqitur me vepra që flasin vetë dhe i ftojnë pjesëmarrësit t’i shikojnë dhe interpretojnë.

Ajo ka shtuar se Dëbora Hetemi me anë të këtyre pikturave i ka ftuar njerëzit për t’ua treguar shpirtin dhe mendjen e saj, mënyrën se si e sheh dhe e koncepton realitetin. 

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme