Kulturë

“Bllaca 1999” propozuar nga këshilltari i kryeministrit merr para nga Qeveria

Prishtinë, 6 mars – Qeveria e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro për ta përkrahur fazën fillestare të realizimit të projektit të Qendrës përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët, “Bllaca 1999”.

Vendimi i së martës për ndarjen e mjeteve e ka plotësuar atë të 12 shkurtit, nëpërmjet të cilit është aprovuar propozimi për themelimin e Qendrës. Mjetet janë ndarë nga kategoria e shpenzimeve rezervë.

Propozimi është bërë nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me seli në Shkup dhe nga Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta me seli në Prishtinë. Shoqata drejtohet nga Jahja Lluka, njëherësh këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Në këtë rast Qeveria ka ndarë buxhet për realizimin e projektit, bashkëpropozues i të cilit është një nga këshilltarët e kryeministrit.

Përderisa për një pjesë të opozitës bëhet fjalë për konflikt interesi e përkrahje të njerëzve përreth kryeministrit, këshilltari Lluka këtë nuk e sheh kësisoj.

“Bllaca 1999” do të jetë një qendër përkujtimore, së cilës sipas propozuesve do t’i vihet guri themeltar në prill të këtij viti e më vonë do të hapet konkurs mbarëkombëtar për projektim të saj. Do të ngrihet në pjesën e Kosovës, krejt afër Bllacës, përderisa 100 mijë eurot e Qeverisë janë vetëm për fazën fillestare. Ende nuk ka një përllogaritje të kostos përfundimtare.

(gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")