Kulturë

Rrugëtimi i “Shembjes së kullës së Ajfelit” deri në Amerikë

Prishtinë, 26 prill - Rrugëtimi i dramës “Shembja e kullës së Ajfelit” - shkrimi i së cilës, siç e kishte pohuar vetë autori Jeton Neziraj, ka qenë një proces krijues torturues - është i gjatë, por edhe i suksesshëm. Historia që vë në skenë stereotipat, paragjykimet e fanatizmin fetar, e shoqëruar edhe me një rrëfim paralel që flet për një ushtar osman që merr urdhër të shpërndajë ferexhe për gratë ballkanase, vazhdon të mbetet aktuale edhe shtatë vjet pas shkrimit të dramës.

Tema e dramës e ka mbajtur gjallë interesimin e botuesve jashtë kufirit. Së fundi, “Shembja...” ka mbërritur deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është botuar në anglisht nga “Laertes” - një botues i pavarur, i përkushtuar për përkthime letrare e që angazhohet sidomos për përparimin e këtij arti në veçanti.

“Qëllimi ynë është përcjellja e veprave prej gjithandej, të secilit zhanër, që shprehin peshën e plotë të humanes”, shkruhet në ueb-faqen zyrtare të “Laertes”. E tillë është edhe drama e Nezirajt, që në anglisht është përkthyer nga Robert Elsie, Janice Mathie-Heck dhe Alexandra Channer.

“Drama trajton një temë e cila, në të vërtetë, ka qenë dhe ngelet aktuale. Natyrisht, kjo shpesh nuk mjafton për një vepër që të ketë sukses. ‘Shembja...’ nga koha kur është shkruar e deri më tani ka kaluar nëpër një rrugë të gjatë, kryesisht rrugë të suksesit do të thosha. Është përkthyer e botuar në mbi 10 gjuhë, kurse tani, edhe në anglisht, në Amerikë. Dhe ky botim vërtet më gëzon”, ka thënë Jeton Neziraj (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.