Kulturë

NYT e vlerëson të jashtëzakonshëm romanin e Pajtim Statovcit

Prishtinë, 27 prill - Përkthimi në anglisht i romanit “My Cat Yugoslavia” (Macja ime Jugosllavia), i Pajtim Statovcit, i cili jeton në Finlandë, ka marrë vëmendjen e mediave prestigjioze. Edhe e përditshmja amerikane “The New York Times”, e ka publikuar një kritikë për romanin e përkthyer në anglisht nga David Hackston.

Artikulli me titull “Një mace e çuditshme, një gjarpër i shoqërueshëm dhe dëshira e zhvendosur” i shkruar nga Tea Obreht, është një vështrim kritik për romanin e kosovarit të lindur më 1990-n e që në moshën 2-vjeçare emigroi në Finlandë, ku romani në origjinal, finlandisht ishte botuar më 2014. Sipas përshkrimit të librit, në ueb-faqet ku ai shitet online, gjithë rrëfimi nis në vitet ‘80, kur një vajzë myslimane martohet me një burrë që mezi e njeh. Por ai që do të duhej të ishte një bashkim i lumtur, shpejt shkon keq.