Gjinia e bukur ka vend të posaçëm në veprat e saj të artit figurativ.
Ajo tiparet e femrës i formëson përmes lapsit grafik dhe ngjyrave të derdhura në pëlhurë të bardhë, teksa shprehet se ka dëshirë që fizionomia e femrës të jetë ikonike në pikturat e saj.
Vargu i punimeve të piktores Fjolla Ferati ka nisur të realizohet para gjashtë vjetësh.
Fjolla ka zgjedhur që portreti i femrës të jetë brenda kornizave të veprave të saj, pasi që sipas saj, gjinia e bukur vazhdon të jetë dominuese në shoqëri, raporton “Express” i KTV-së.
Arti në vend është i zhvilluar, por nuk vlerësohet edhe aq, thotë piktorja e cila tutje tregon se përpos pikturës, ajo punon edhe vepra tjera të artit figurativ.
Diversiteti i ngjyrave, i përzier me laps grafik, janë tipar dallues në kolonën e pikturave të artistes Ferati.
Piktorja Ferati, pasi ka krijuar një varg të gjatë të pikturave, tregon se është duke u përgatitur për ekspozitën e saj të parë.