Kulturë

Inarritu kryeson jurinë e Festivalit të Filmit në Cannes

Descriptive Text

Regjisori meksikan Alejandro Gonzalez Inarritu (55) – i cili më 2015 me “Birdman” pos “Oscarit” për filmin më të mirë mori edhe atë për skenarin dhe regjinë më të mirë e më 2016 me “The Revenant” mori “Oscar” për regjinë më të mirë – do të kryesojë jurinë e edicionit të 72-të të Festivalit të Filmit në Cannes, që mbahet prej 14 deri më 25 maj.

Përzgjedhja e një regjisori meksikan në pozitën e kryetarit të jurisë së Festivalit do ta “nderojë krejt kinematografinë meksikane” përderisa do të nxjerrë në plan të parë regjisorin e cili nëpërmjet realitetit virtual ua ka mundësuar shikuesve që të njihen me ferrin nëpër të cilin kalojnë emigrantët. Këtë e bëri me filmin “Flash and Sand” me të cilin më 2018 mori “Oscar” në kategorinë për arritje të veçanta, përcjell sot Koha Ditore. 

Vitin e kaluar jurinë e Festivalit të Cannes e ka kryesuar Cate Blanchett, e cila ka luajtur në filmin e Inarritus, “Babel” të vitit 2006. Asokohe regjisori meksikan mori “Palmën e Artë” për regjisorin më të mirë. Vitin e kaluar “Palmën e Artë” e ka marrë regjisori japonez Hirokazuu Koreedi për filmin “Shoplifters”.

“Prej fillimit të karrierës, Festivali i Filmit në Cannes për mua ka qenë i një rëndësie të veçantë. Jam shpërblyer dhe më vjen mirë që do të rikthehem edhe sivjet. Pakrahasueshëm jam krenar që do ta kryesoj jurinë. Kinemaja rrjedh nëpër venat e planetit tonë e ky festival është sikurse zemra e tij”, u ka thënë Iñarritu gazetarëve.

"Alejandro Inarritu rrallëherë pranon të jetë në juri të ndonjë festivali dhe më duhet të them se kjo është hera e parë me atë të Festivalit të Cannes që kryeson një regjisor meksikan. Cannes është pikëtakim i të gjitha kinematografive, e kësaj radhe do ta nderojmë në mënyrë të veçantë kinematografinë meksikane”, ka thënë drejtori i Festivalit, Pierre Lescure....(Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore).