Kulturë

Kritika pozitive për gjuhën vizuale të filmit “Në mes”

Kritika pozitive për gjuhën vizuale, me të cilën është përshkruar tregimi i filmit dokumentar, e me të cilin Kosova është paraqitur për herë të parë në ngjarjen më të madhe filmike evropiane, e ka bërë krenar gjithë ekipin e filmit të regjisorit Samir Karahoda.

Ndonëse nuk arriti ta fitojë çmimin e kategorisë së filmit më të mirë të shkurtër, projekti filmik i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ka rrëfyer te shikuesit e Berlinales, fenomenin e shtëpive të ndërtuara me arkitekturë të njëjtë, e që janë në pronësi të disa vëllezërve shqiptarë që jetojnë në diasporë, raporton “Express” i KTV-së.

Producenti i filmit, Eroll Bilibani, ka deklaruar për “Kohavisionin” se filmi “Në mes”, ka paraqitur në Gjermani një tregim kompleks në formë të thjeshtë duke e degëzuar atë në katër tema.

“Në mes” ishte në konkurrencë me filmin “Umbra” që shënoi sukses duke u shpërblyer me Ariun e Artë për filmin më të mirë të shkurtër në edicionin e 69 të Berlinales.

Bilibani tregoi arsyen e takimeve me organizatorë të festivaleve të filmit.

Pas prezantimit në Berlinale filmi dokumentar “Në mes”, premierën kombëtare do ta ketë në edicionin e nëntëmbëdhjetë të “Doku Fest-it”.