Kosova në Berlinale, jepet premiera botërore e filmit “Në mes”
Premiera botërore e filmit dokumentar “Në mes” të realizuar nga fotografi Samir Karahoda, është shfaqur të martën mbrëma nga ora 21:30, në Berlinale.
Ky projekt filmik që rrëfen fenomenin e shtëpive të ndërtuar me stil të njëjtë nga disa vëllezër shqiptarë, do të transmetohet në ekranin e garës ndërkombëtare të filmave të shkurtër, transmeton emisioni Express në KTV.
Ekipi i filmit ka udhëtuar për në kryeqytetin gjerman. Ndërkohë në shtandin e Qendrës Kinematografike të Kosovës ata po e prezantojnë filmin te vizitorët dhe prodhuesit filmikë.
“Në mes” është shfaqur me premierë të mbyllur më 8 shkurt përballë gazetarëve dhe kritikës, ndërkohë, producenti Bilibani shtoi se fokusi i ekipit të filmit është që vepra të prezantohet në festivalet filmike të kategorisë A.
Është viti i tetë që Qendra Kinematografike e Kosovës po prezantohet në marketin më të madh filmik evropiane.
Sipas drejtorit të QKK-së, Arben Zharku, aty prezantohet kualiteti i filmave vendas, teksa shtoi se janë në bisedime me disa produksione filmike për ta sjellë nivelin e tyre profesional edhe në Kosovë.
Çmimet prestigjioze të edicionit të 69 të Berlinales, do të ndahen të shtunën e 16 shkurtit. Ndërkohë, 400 filma janë seleksionuar për t’u shfaqur këtë vit.