Njeriu i mirë Dritëro Agolli

Njeriu i mirë Dritëro Agolli

09 shkurt 2019 16:00

Nuk më kujtohet kur e kam takuar për herë të parë Dritëro Agollin. Nganjëherë më duket se e kam njohur që kur kam lindur. Ndoshta ngaqë natyra e tij si njeri, sikurse edhe krijimtaria e tij, poezia në radhë të parë, më ishin aq të afërta. Më tërhiqte te poeti devollit të qenit fshatar, bir fshatari, si unë, por edhe rebel, veti këto që përkonin me karakterin tim si njeri dhe krijues, shkruan sot Koha Ditore.

Duhet të ketë qenë viti 1976 kur e takova për herë të parë. Në Tiranë, në Lidhjen e Shkrimtarëve, të cilën asokohe e drejtonte ai. Ne, një grup pedagogësh të Universitetit të Prishtinës, kishim shkuar për një qëndrim studiues në Tiranë dhe një ditë prej ditësh, unë dhe njëri nga kolegët e mi, studiues i letërsisë, kërkuam të bënim një vizitë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Dritëroi na priti në zyrën e tij në katin e dytë me gotat me konjak në tryezë. I thjeshtë dhe i qeshur, por edhe i menduar, thithte cigaren dhe bisedonte me ne lirshëm, pa protokoll. Ma dhuroi poemën e tij të famshme, “Nënë Shqipëri”, botimin e dytë, që kishte dalë një vit më parë (1975) në 100 mijë kopje (një rekord kombëtar), me një përkushtim të thjeshtë, por të shtrenjtë: “Agimit, me dashuri. Dritëroi”. Kaq. Kështu më drejtohej mua, një poeti të ri, që mezi kishte botuar ndonjë përmbledhje të hollë vjershash, njeriu që kishte bërë emër në letërsi.

Në mbrëmje, te hotel “Tirana”, ku ishim vendosur ne pedagogët e Prishtinës, e takova sërish Dritëroin në shoqëri me një grua, poete nga Franca. Më prezantoi me të dhe i tha se isha poet nga Kosova, duke shtuar fjalët “i ri dhe i talentuar”. Francezja më pa, sikur po më maste me sy dhe më pyeti se çfarë poezie shkruaja. Në çast nuk dita si t’i përgjigjesha. T’i thosha: “poezi lirike”, nuk më dukej gjë; t’i thosha: “poezi të angazhuar”, më dukej e sforcuar. Më nxori nga situata Dritëroi, i cili i tha francezes: “Comme Prèvert” (Si Preveri). Zhak Preveri ishte, pa dyshim, një nga poetët e mi të preferuar, por ishte kompliment i madh krahasimi me të./Agim Vinca

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme