Filarmonia e Kosovës shënon ditëlindjen e Mozartit

Filarmonia e Kosovës shënon ditëlindjen e Mozartit

28 January 2019 20:20

Koncertet e Filarmonisë së Kosovës tashmë janë bërë pjesë e jetës së dashamirëve të muzikës. Puna e pandalshme dhe organizimet e shpeshta tashmë janë bërë të zakonshme për këtë institucion, duke sjellë gjithmonë risi në skenën e muzikës klasike dhe solistë të njohur ndërkombëtarisht.

Koncerti i së dielës e shënoi edhe ditëlindjen e Mozartit, ndërsa repertori u karakterizua me veprat e tij me të mëdha, raporton “Express” i KTV-së.

Përveç tingujve të Orkestrës së Filarmonisë, u dëgjuan edhe tingujt e Trumbetës së vogël ndryshe të njohur si “Piccolo Trumbetë”, të sjellë nga një ndër liderët botërorë të këtij instrumenti.

“Të performosh me trumbetë është njësoj si të luash ndonjë sport profesional. Për çdo notë duhet të aktivizosh të gjithë trupin dhe të mësohesh ta kontrollosh. Trumbeta është jeta ime... unë fle vetëm tre orë në ditë ngaqë gjithmonë zgjohem në orën tre për të ushtruar. Por këtë punë e bëj më shumë dëshirë, gjë që shumë njerëz e shohin si çmenduri. Performanca e sotme ishte shumë e mirë, por salla ishte pak e çuditshme... muzikantët e orkestrës ishin shumë afër me njëri-tjetrin, po ashtu edhe ne solistët. Publiku ishte i mrekullueshëm, por hapësira e sallës është shumë e vogël”, ka thënë Otto Sauter.

Edhe pse mungesa e një sallë koncertale po vihet në pah edhe nga muzikantët botëror, Filaromina e Kosovës po vazhdon me koncerte e performanca të suksesshme që mbushin sallën çdo herë.

Koncerti i së dielës u dirigjua nga, Dariusz Mikulski, i cili përveç dirigjimit, i dhuroi audiencës edhe performim me trumbetë. Prezenca e tij u dallua nga energjia që e përcolli tek orkestra dhe pjesëmarrësit.

“Ky koncert ishte i veçantë meqenëse çdo vit me 27 janar shënojmë ditëlindjen e gjeniut të muzikës, Wolfang Amadeus Mozart. Nuk mund të gjejë fjalë për të përshkruar lumturinë që ndjeva gjatë performancës me Filarmoninë e Kosovës... përveç bashkëpunimit, gjatë provave dhe parapërgatitjes kam gjetur edhe miq. Gjë tjetër e veçantë ishte performimi i veprave të mrekullueshme të Mozartit, ku orkestra e Filarmonisë së Kosovës tregoi profesionalizëm të vërtetë”, ka thënë Darius Mikulski.

Veprat e Mozartit cilësohen si veprat më të vështira për tu performuar, gjë që e tregoi më së miri punën intensive të Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës.

“Çfarë do ta veçojë këtë vit për Filarmoninë e Kosovës, është lëvizja jashtë vendit. Përveç shume risive dhe koncerteve, në korrik pritet prezantimi i Filarmonisë në Francë, duke vazhduar më pas në Kinë”, është shprehur Baki Jashari.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme