Prishtinë, 24 janar – Prej vitit 1973 deri në pensionim, para tre vjetësh, ishte aktore e ansamblit rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ishte pjesë e dhjetëra shfaqjeve qysh si studente dhe e shumë serialeve. Fatime Llugiqi-Ademi ka vdekur të mërkurën në Tiranë në moshën 67-vjeçare. Kolegët e saj e kujtojnë si një aktore profesioniste, mike të mirë e njeri që reflektonte pozitivisht. Një prej tyre e ka konsideruar edhe si heroinë.
E lindur më 16 shkurt të vitit 1951, Llugiqi-Ademi fillimisht ia kishte mësyrë shkollës së lartë për mjekësi. Por shpejt do të ndërronte mendje. Do të përfundonte në fillim të viteve ’70 Shkollën e Lartë Pedagogjike në grupin e artit dramatik në klasën e Faruk Begollit dhe të Bekim Fehmiut. Si studente do të luante në shfaqjen “Brazdat e palëvruara” me regji të Muharrem Qenës. Regjisori Qena e kishte angazhuar vazhdimisht në shfaqjet e tij.
"Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Revizori”, “Makbethi”, “Mosha e Bardhë”, “Vajza pa pajë”, “Prefekti i Tiranës”, “Ana Karenina”, “Trungu Ilir”, “Hamleti”, “Orkidea” e “Milioneret e Napoleonit”, janë disa prej shfaqjeve me të cilat Llugiqi-Ademi do të mbahet në mend.
Aktorja Igballe Qena e ka pasur atë një prej mikeve më të mira. Ka thënë se ishin bashkë në ditë shumë të mira e shumë të vështira.
Aktori Adem Mikullovci e ka përshkruar Llugiqi-Ademin si aktoren më të përshtatshme në raport me të. E kishte angazhuar në gjashtë episode të serialit “Burri me tri gra”. Sipas tij, ajo ishte aktore pa kurrfarë kërkesash, pa kurrfarë zullumi, e urtë e kureshtare.
Në vitin 2010 Llugiqi-Ademi do t’i bashkohej kastës së aktoreve të shfaqjes “Ana femërore e luftës” me regji të Zana Hoxha-Krasniqit.
Teatri Kombëtar i Kosovës sot (e enjte) në orën 11:00 do të mbajë mbledhje komemorative/Shaban Maxharraj.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")