Kulturë

Filarmonia feston me dy koncerte e mbi 800 veta në publik

Bredhi i stolisur, bashkë me fjongot e kuqe të vendosura në mbajtëset e partiturave, kanë qenë shenjat e para të festës. 

E programi i ngjeshur me arie operistike e vepra orkestrale, i dhanë kuptim koncertit tashmë tradicional të fundvitit që organizon institucioni më i lartë i muzikës në vend. 

Për herë të parë pas shumë kohësh, “Salla e Kuqe” u bëri vend në karrige të gjithë të pranishmëve që erdhën për të ndjekur koncertin e Filarmonisë së Kosovës, shkruan sot Koha Ditore. 

Kjo për shkak se menaxhmenti i këtij institucioni ka vendosur që të njëjtin koncert ta mbajë dy herë brenda një dite. Rreth 400 veta zunë vendet e tyre në koncertin e orës 17:00, ndërsa në atë të orës 20:00 salla u mbush përplot, madje edhe në katin e dytë. 

Diku në total i bie se mbi 800 veta ndoqën këtë koncert. Orkestra e Filarmonisë së Kosovës nën drejtimin e dirigjentit Noorman Widjaja, e nisën këtë mbrëmje festive me uverturën e Rossinit nga opera “Berberi i Seviljes”. Me rimet e gjalla dhe që përkojnë mirë me konceptin e mbrëmjes, nata vazhdoi me sopranon kosovare Lorika Ismajli, e cila tash e sa vite jeton dhe vepron në Vjenë.
 
Ajo u ngjit në skenë dy herë gjatë koncertit. Fillimisht me arien “Ecco, respiro appena” nga opera “Adriana Lecouvreur” të Francesko Cilea, më pas edhe me arien “Sola, perduta adandonatta” nga opera ”Manon Lescaut” të Puccinit. Shkëlqeu në të dyja paraqitjet, veçanërisht në atë të fundit. Shtrirja e saj vokale doli në pah, përçoi emocion e po ashtu edhe lojën në skenë, për t’i vënë kapakun performimit të një arieje operistike. 

Kjo ishte hera e parë që publiku kosovar pati rastin ta dëgjojë atë si soliste. Ndryshe nga sopranoja Adelina Paloja, e cila tashmë ka pasur disa paraqitje me Filarmoninë. Ani pse publiku e ka dëgjuar më parë, kjo nuk do të thotë se kapaciteti i saj vokal është në tjetër nivel. Përkundrazi, ajo tashmë e ka dëshmuar veten si një soprano e arrirë.

(Detajet mund t’i gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)