Homosapiens: Ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet?

Homosapiens: Ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet?

07 dhjetor 2018 16:58

Si është e mundshme që njeriu të shkruajë për historinë e njerëzimit prej miliona vitesh më parë deri sot? Si konceptohet një temë e tillë? Ku ia nisë e ku mbaron?

Arsim Canolli

Sot ndër librat më të popullarizuar janë biografitë dhe romanet. Lexuesit ende duan të lexojnë fiksion me tema specifike. Biografia, sidomos ajo që shkruhet në botën anglofone, lexohet shpesh edhe si letërsi; ajo përmbush edhe kërkesën për fiksion sepse në qendër të saj është drama e jetës individuale apo e heroit real.

Në anën tjetër, lexohen edhe librat e “shkencës popullore”, apo temat e shkencave natyrore që shkruhen për masat e gjera. Një numër i madh shkencëtarësh, me dell narratori, kanë popullarizuar shkencën te masat: për shembull fizikanë si Carl Sagan, Michio Kaku kanë shkruar libra dhe kanë bërë dokumentarë të shumtë për të treguar mrekullitë e shkencës. Po ashtu, edhe biologët si Jared Diamond e Richard Dawkins kanë shkruar libra të shumtë të cilët janë lexuar në masë të madhe. [Ky i fundit ka bërë dokumentare e emisione televizive që nga vitet 70 e së fundi ka rrahur fort idenë e “ateizmit të ri” bashkë me një grup shkencëtarësh tjerë]. Ndër popullarizuesit e fundit që vjen nga dega e historisë është Yuval Noah Harari, një historian hebre që në shkrimet e tij ka synuar të vizatojë historinë e njerëzimit që nga fillet e tij e deri më sot dhe parashikon të ardhmen e tij. Libri i tij më i njohur është “Sapiens: një histori e shkurtër e njerëzimit”. [Sapiens: A Brief History of Humankind, 2014] libër që është përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Si është e mundshme që njeriu të shkruajë për historinë e njerëzimit prej miliona vitesh më parë deri sot? Si konceptohet një temë e tillë? Ku ia nisë e ku mbaron? Por, këto pyetje bëhen në kontekst të shkrimit akademik që shkon nëpër proces të normativitetit apo traditës akademike, kryesisht universitare. Harari ka shkruar një libër për masat dhe këtu lejohet një lloj skice antropologjike-filozofike mbi zhvillimin e njeriut. Pa dyshim në shkrimet e tilla metainterpretative, autori gjithmonë rrezikon të përgjithësojë, duke theksuar më tepër pamjen nga horizonti i filozofit se sa pamjen nga llupa e shkencëtarit specifik. Akademikët e katedrave të cilët qepen pas studimeve specifike, shpesh i ngrysin vetullat dhe ankohen kur në skenë dalin veprat e tilla populiste. Në një simpozium mbi bujqësinë, bukën dhe teknologjinë në kontekst parahistorik të Lindjes së Largët në UCL, ku qëllova prezent, disa profesorë që paraqisnin gjetjet e tyre pas gërmimeve e studimeve disa vjeçare patën diskutuar edhe për peshën e studimeve popullarizuese dhe të popullarizuara dhe patën ardhur në përfundim se, në një anë, ka hamendësime e përgjithësime, e në anën tjetër, ato e bëjnë të pranishme disiplinën e caktuar në opinion publik. Por, si në atë simpozium, si në raste tjera e si në përgjithësi, akademikët mendojnë se varet prej autorit se si bën metainterpretimet e tij; nuk mund të paragjykohet qasja në përgjithësi, por duhet të gjykohet në bazë të vlerës së studimit të autorit.

Libri “Sapiens” i Yuval Hararit është një panoramë e gjerë e zhvillimit të homosapiens-it, prej rreth qindra mijëra viteve më parë deri më tani. Kjo panoramë është e ilustruar me shembuj të shumtë nga burimet shkencore, por e shkruar në frymë pothuajse profetike: “Sapiens” del si një lloj manifesti për homosapiens-in. Dhe, kjo për faktin se Harari flet shumë edhe për të sotmen edhe për të ardhmen. Në fakt në fund të librit të tij, jepet ideja e tij profetike për postnjeriun dhe kjo ide vërtetohet me librin e tij të dytë “Homo Deus: history e shkurtër e së nesërmes” [Homo Deus: A Brief History of Tomorrow, 2016]. Pra, duhet theksuar se Harari është një nga prozatorët futurologjikë të parashikimit të së nesërmes, pa dyshim duke shfrytëzuar argumentin shkencor.

Libri lexohet lehtë; proza është e rrjedhshme. Harari nisë vizatimin e tij me prejardhjen e njeriut, universin dhe zhvillimet e mëdha në inxhinieringun gjenetik e biologjik. Në fakt, qysh në fillim të librit ka raste kur mendimet e tij vijnë të shpejta, të shkurtëra, të thurura në evidencë të përzgjedhur me kujdes, sa që mund të shkundin lexuesin nga fotelja e bibliotekës së tij. Harari na sjell në vëmendje raste të shumta të inxhinieringut biologjik, apo “disenjit intelegjent” të njeriut në modifikimin e strukturës biologjike të qenieve të gjalla. Pa dyshim se fjala “disenji intelegjent” konoton idenë e Zotit ndërhyrës në disenjimin e gjithë matricës së jetës. Por, Harari thekson se pikërisht njeriu është duke u shndërruar në “disenjer” të jetës në tokë, prej zbutjes së kafshëve e deri te modifikimet gjenetike të bimëve e së fundi edhe eksperimentet që çojnë kah shpërndërrimet në strukturën e homosapiens-it. Madje. ai merr shembullin me neandertalin, duke theksuar se me krijimin e hartës gjenetike të neandeartalit, që është zhdukur si specie e gjinisë home para 30 000 viteve, do të mund të rikrijohej prapë si specie dhe, madje-madje, do të na jepte përgjigje ndaj shumë pikëpyetjeve tona se çfarë ndodhi me homosapiens-in që u bë mjeshtër, kontrollues, shfrytëzues, transformues e një lloj Zoti i gjithë jetës në tokë.

Libri shpalos pamjen e homosapiens-it të rritur në pellgun e madh të gjinisë homo në veçanti dhe jetës në përgjithësi. Në një anë thekson aspektet evolutive organike e në anën tjetër ato kulturore, duke u fokusuar edhe te marrëdhëniet shoqërore, apo “kulturat” e para njerëzore të cilat migrojnë nga Afrika drejt kontinenteve tjera. Pos si hyrje ftuese që lexohet si ligjëratë para studentëve të antropologjisë, sidomos kur flet për parahistorinë, kjo pjesë nuk paraqet ndonjë risi specifike që mund të ngashërejë inspirimin e studiuesit specifik. Në anën tjetër, ndarja e kohës së homosapiensit në segmete të nisura nga revolucionet përkatëse është mënyrë e mirë për ta përfituar besimin e lexuesit për “pragjet” dhe “fazat” e kalimit të homosapiens-it, prej një gjendjeje në një gjendje tjetër. Harari e ndan kohën homosapiensore me tri revolucione: revolucioni kognitiv, revolucioni bujqësor dhe revolucioni industrial i nisur nga revolucioni shkencor.


Si erdhi deri te këto revolucione? Harari fillon me revolucionin kognitiv që ka nisur diku rreth 70 000 vite më parë. Ndonëse diskutimi i tij është plot pikëpyetje, ai jep cytje për lexime dhe sjell në argument zbulimet e fundit shkencore dhe hap debat filozofik mbi pikënisjen e këtij revolucioni. Por, nuk jep përgjigje definitive se çfarë ndodhi në trurin e njeriut të homosapiensve të parë që u ndan nga speciet tjera dhe filluan të krijojnë vegla, të shpikin zgjidhje ndaj vrazhdësive të mjedisit, të mbizotërojnë botën shtazore dhe të shumohen aq shumë sa që të mbipopullojnë botën. Sepse, thjesht ende nuk ka përgjigje definitive.

Revolucioni kognitiv është ende mister shkencor. Por, ajo që dihet, dhe Harari e thekson, është fakti se truri i njeriut ka pësuar rritje të madhe, muskujt e tij janë shtendosur, migrimi është bërë esencial për të dhe komunikimi është zgjeruar. Si rezultat i migrimit të homosapiens-it nga Afrika Lindore në Euroazi, kemi edhe çiftimin e tij me çetat e neandertalit, që ishin paraprakisht në kontinentin evropian, dhe denisovanëve që ishin në Azi. Si thekson edhe Harari, çdo ditë kemi studime të reja në këtë drejtim dhe teoritë mund të ndryshojnë varësisht evidencës së re. Në periudhën para 70 000 deri 30 000 vite më parë, homosapiens pushtoi gjithë botën thuajse duke u shpërndarë prej Afrikës Lindore në Evropë, Azi, Amerikë e Australi. Ajo që Harari thekson, sikurse shumica e antropologëve, është fakti se ana sociale ka qenë esenciale në krijimin e gjuhës së tij që ka kontribua në lidhjen sociale të homosapiens-it në përgjithësi. Në fakt ai i nënvizon thashëethëmet dhe shenjat komunikuese për rrezikun si dy aspekte të cilat mund të duken banale, por janë esenciale në krijimin e gjuhës. Pa dyshim se këto teza mbrohen nga shumica e paleoantropologëve. Në anën tjetër, Harari thekson se sekreti i kapërcimit të pragut kognitiv për homosapiens-in është fiksioni apo krijimi i legjendave, tregimeve, religjionit, ligjit dhe gjithë kulturës të tij. Dhe që nga shpërthimi kognitiv, njeriu ka jetuar në dy botëra, atë të kodrave, lisave dhe luanëve dhe atë të zotërave, përrallave dhe kulturës. Nuk mund ta kuptojmë njeriun sot, pa e kuptuar njeriun parahistorik, gjahtarin e mbledhësin e kohës para bujqësisë, thekson Harari. “Sot mund të jetojmë në apartamente të ndërtesave të larta me firgoriferët plot, por ADN-ja jonë ende mendon se jemi në savana”, thekson ai. Pa dyshim se pamja që Harari jep është e gjallë dhe plot ngjyra, por duhet theksuar se herë mbithekson natyrën njerëzore e herë atë shoqërore. Por, kjo frymë nuk e epërcjell deri në fund sepse në fund ai shfaqe tezën e tij kryesore: fluturimin e homosapiensit drejt shtigjeve posthumane nga fakti se ka arritur të manipulojë biologjinë e tij. Ai e quan homosapiensin e kësaj periudhe një vrasës të madh sepse gjatë shpërndarjes së tij në planet, kishte shkatërruar e ndryshuar mjedisin natyror.

Kur flet për revolucionin bujqësor, Harari jep indicie të mjaftueshme se ky revolucion ka qenë një prag i madh i zhvillimit njerëzor. Por, fillimisht Harari na thotë se ideja e zhvillimit të bujqësisë nuk shkon me idenë e rritjes së inteligjencës njerëzore, si mendohet shpesh. Madje, ai thekson se me revolucionin bujqësor njeriu është dashur të punojë më shumë dhe të marrë dietë edhe më të dobët, duke potencuar se ky revolucionin ka krijuar edhe peshë elitat dhe ka shtuar popullatën. Këtu Harari na fton të mendojmë prej pikëpamjeve të ndryshme që nuk janë të zakonshme në studimet akademike. Mendoni prej pikëpamjes së drithit, thotë ai, “drithi, orizi dhe patatja kanë zbutuar njeriu” e jo anasjelltas dhe na ofron hollësi specifike ( si kultivimi i grurit afër tempullit Göbekli Tepe në Turqi), jo aq revolucionare si gjetje, por inspiruese si mënyra mendimi. Vendbanimet e para në kohën e revolucionit bujqësor tregojnë evidenca të një gjendjeje të re politike, sikurse te kultura natufiane dhe pasardhësitë e parë të cilët u shndërruan prej gjahtarëve në bujq. Ai vazhdon të japë reflektime mbi piramidat, Kodin e Hamurabit e aspekte tjera të periudhës pas revolucionit bujqësor, deri te shpikja e shkrimit dhe unifikimet shoqërore të njerëzimit, të cilit i kushton kapitull të veçantë.

Pastaj, nisë edhe diskutimin mbi shpërthimin shkencor që ka nisur revolucionin industrial para 500 viteve. Harari jep një varg krahasimesh mes gjendjes në vitin 1500 dhe sot pas 500 e sa viteve, duke potencuar rritjen e popullatës, prodhimin dhe konsumin e energjisë. Pastaj thekson faktin se njeriu ka zbuluar botën përreth tij, duke mposhtur injorancën e deriatëhershme. Potencon zhvillimet e mëdha të njeriut të revolucionit shkencor dhe qëndresën e tij, të nisur kryesisht në aventurën evropiane, në zhvillimin e mendjes së zgjatur në shpikje teknologjike. Së fundi, thotë Harari, “në ora 5 e 29 minuta e 45 sekonda, më 16 korrik 1945... shkencëtarët amerikanë lëshuan bombën e parë atomike në Alamogordo të Meksikës së Re...Prej asaj kohe e tutje, qenia njerëzore ka patur aftësinë jo vetëm për ta ndërruar rrjedhën e historisë, por edhe për ta përfunduar atë”. Në fakt, jehona e kësaj fjalie vazhdon si frymë e shkrimit të Hararit, sepse pothuajse gjithë teksti i tij aludon te vetëshkatërrimi, ngulfatja dhe sfidat e mbijetesës së homosapiens-it si rezultat kryesisht i krijimtarisë së tij si qenie e dalë nga misterioziteti i revolucionit kognitiv.

Libri përfundon në një ton kritik e pesimist për përgjegjësinë e homosapien-sit, si shtazë që po shndërrohet secilën herë e më shumë në Zot, duke shkatërruar shtazët dhe bimët tjera të truallit të tij gjenetik e fizik. Ai na lë me pyetjen se njeriu po përballet jo me pyetjen “çfarë duam të bëhemi?” por “çfarë dëshirojmë të duam?”. Pa dyshim se skica e madhe u një ushtrimi antropologjik-filozofik e Hararit vjen si një kritikë dhe futurologemë për të ardhmen e njeriut. Duke reflektuar mbi bioteknologjinë dhe zhvillimin e premisave për revolucion biovirtual, duke metaforizuar me “projektin e Gilgameshit”, si projekt njerëzor drejt pavdekshmërisë, Harari thekson dilemën e madhe etike që e pret njeriun apo postnjeriun, sipas tij: cili do të jetë fati i homosapiens-it, që vetëm në fazën e tij të fundit, në këto 500 vitet e fundit të shkrepëtimave të mëdha në trurin e tij, ka arritur të projektojë mënyra për shfarosjen e tij dhe habitatit të tij. Antropologjia dhe historia na tregojnë se homosapiens-i ka ardhur në këtë gjendje duke gjakuar vise të reja, duke varë e duke shkatërruar tjetrin biologjik. Aftësia për të rikrijuar veten, po vjen duke u bërë realitet, por ky realitet nuk është risi: si na thotë edhe Harari në futurologemat e tij: “me siguri se zotërat e botës së ardhme do të jenë më të ndryshëm nga ne se që jemi ne nga neandertalët”.

Pa dyshim se ky libër është shenjë e një mendimi futurologjik, që ka shpërthyer kryesisht pas dy-tri dekadave të fundit kur historianët, biologët e filozofët filluan të shkruajnë për njerëzoren në agim të teknologjisë revolucionare dixhitale dhe inxhinierisë gjenetike. Andaj, libri i Hararit është një ders etik, më shumë se sa një shkrim historik, ndonëse argumenti historik është i ngjeshur mjaft mirë. Si ti tillë ia vlen të lexohet sepse pyetjet etike për homosapiensin në përgjithësi reflektojnë edhe në pyetje etike për secilin sapiens të gjallë sot.

(Autori është profesor në Departamentin e Antropologjisë në Univeristetin e Prishtinës)

Komentet

Shto koment

Të ngjashme