Kulturë

“Delegacioni” për Shqipërinë komuniste, premierë në Varshavë

Filmi që zhvendoset në Shqipërinë e tetorit të vitit 1990, kur regjimi komunist përpiqet ta mbajë pushtetin, është dhënë premierë botërore në një festival të kategorisë A. “Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit – bashkëprodhim mes katër vendeve, përfshirë Kosovën – është bërë pjesë e konkurrencës ndërkombëtare të festivalit “Warsaw Film Festival”.

Filmi, skenarin e së cilit e ka shkruar Artan Minarolli, u shfaq pasditen e së hënës para audiencës së festivalit në Varshavë. Është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në konkursin për projekte filmike të vitit 2016. Është bashkëprodhim i Shqipërisë, Francës e Greqisë. Me role kryesore në këtë film luajnë: Viktor Zhusti, Xhevdet Ferri, Ndriçim Xhepa, Richard Sammel, Kasem Hoxha. Ndërsa nga Kosova në film paraqiten aktorët: Bislim Muçaj, Selaman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Fatlume Bunjaku, Armend Smajli, Gani Morina, Arta Selimi, Imer Loshi. Lajmin për premierën botërore të këtij filmi e ka bërë publik QKK-ja nëpërmjet një komunikate për media. Aty janë dhënë detaje edhe për rrëfimin që u shpalos në Varshavë.

Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës ka thënë se suksesi i filmit është lajm i mirë edhe për kinematografinë kosovare. Ka paralajmëruar se ‘‘Delegacioni‘‘ do të shfaqet edhe në vend (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).