Prishtinë, 19 korrik – Koreografia e tasteve të pianos nuk është e rastësishme. Muzika që dëgjohet në minutat e parë, për shumëkënd nuk është e panjohur. E kjo me një qëllim. Fokusi i kamerës, i cili ndryshon sa herë që pianoja luan vetë apo edhe kur pianisti prek tastet, fsheh një tregim. I gjithë koncepti i dy filmave të shkurtër të bashkuar në një, ka lidhje komplekse. Me titull “Take Over”, filmat e artistit shqiptar me famë botërore, Anri Sala, vijnë si eksplorim i marrëdhënies mes muzikës dhe rrëfimit. Pikënisje e tyre janë dy vepra të njohura muzikore, të cilat lidhen ngushtë me njëra-tjetrën në aspektin historik, politik e kulturor: “La Marseillaise” dhe “Internationale”.
E para, e kompozuar në vitin 1972, lidhej ngushtë me Revolucionin Francez, për t’u bërë më pas simbol i përmbysjes së regjimeve shtypëse, e tani himn kombëtar i Francës. Ndërsa “Internationale”, teksti i së cilës është shkruar në vitin 1871, para se t’i kompozohej edhe muzika ishte kënduar mbi vijën melodike të “La Marseillaise”. Do të ndryshonte në vitin 1888 kur muzika e veprës u kompozua dhe kënga u bë himni standard i lëvizjes socialiste.
Të dyja këto himne pësuan ndryshime të mëdha në aspektin politik e historik. Këtë ndryshim, Sala e ka konceptuar në veprën e tij “Take Over”, ku tastet e pianos ai i sheh si një peizazh të kohës së filmave “western”.
Në këtë rast pianoja është në “luftë” për dominim kundër njeriut. Të dyja himnet janë gërshetuar në dy filmat që u shfaqën njëri pas tjetrit në “Klubin e Boksit”, ku po zë vend edicioni i katërt i “Shkollës verore si Shkollë” që organizohet nga Qendra për Art Bashkëkohor – Stacion (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).