KTV programi

TV ARTA me skemë dhe pamje të re

Kanali i parë informativ në Kosovë vjen me skemë dhe pamje të re. Përveç imazhit të ri i cili vjen nga viti 2021, në të gjitha platofmrat kabllore në Kosovë, po ashtu edhe në livestream përmes vjegëzës e cila gjendet në ballinën e portalit www.koha.net. Kështu ka bërë të ditur redaktori i TV ARTA-s, Lekë Rezniqi, në emisionin SOT të KTV-së.

Ai ka thënë se ndryshimet do të vazhdojnë edhe gjatë muajit janar, si format i ndryshe nga kanalet tjera, pasi që është kanal i cili transmeton 24 orë informacione, ka dinamikë tjetër dhe është gjithmonë me vetë aktualitetin e lajmit që ndodhë.

“Natyrisht që vëmendja është e fokusuar tek zhvillimet kryesore dhe më të rëndësishme në vend, duke sjellë në kohë reale lajmet e fundit. Tani meqë jemi në prag të zgjedhjeve vëmendja mbetet tek aktivitetet të cilat i kanë filluar subjektet politike para fushatës si edhe ato gjatë fushatës e cila fillon nga 3 shkurti”, ka thënë ai.

Rezniqi tutje ka folur edhe për lajmet të cilat transmetohen në TV Arta, për të cilat thotë se asnjëherë nuk dalin të paverifikuara.

“Kuptojeni lajmin derisa ai ndodhë’ Motoja e TV Arta-s është mjaft sfiduese, pasi që për t’iu përmbajtur kësaj motoje dhe për ta kuptuar lajmin derisa ai ndodhë kërkon një shpejtësi mjaft të madhe të veprimit për t’u transmetuar tek shikuesit dhe në opinion. Por, ajo që gjithmonë e ka karakterizuar shtëpinë mediale KOHA është vërtetësia e lajmit. Prandaj, ka raste që ndoshta edhe vonohemi për disa minuta për ta transmetuar në kanalin tonë, por megjithatë pa u konfirmuar gjithçka nuk e transmetojmë. Nuk na ndodhë që një lajm më pas ta heqim për shkak se pastaj mund të jetë i pavërtetë, e kjo natyrisht që flet për kredibilitetin që e ka ndërtuar KOHA për publikun, e të cilit ne vazhdojmë dhe mundohemi t’i përmbahemi”, ka thënë ai.

Ai tutje ka ndarë me publikun sfidat me të cilat është ballafaquar dhe sukseset e TV ARTA-s që kur ka nisur transmetimin.

“Që nga viti 2009, ka pasur shumë sfida dhe natyrisht fillimi ka qenë i vështirë, por tani 11 vjet pas, ARTA e ka themelin të ndërtuar mjaft fuqishëm, në mënyrë që edhe transformimet dhe ndryshimet që bëhen nuk ndikojnë madje dhe ‘eksperimentimet’ e kohë pas kohshme që i bëjmë. Një dallim tjetër i TV Artës, pikërisht tek skema programore është se ajo asnjëherë nuk e ka nuk e ka skemën e qëndrueshme programore, pasi që vazhdimisht ka zhvillime dhe ndodhë që programi i rregullt të ndërpritet në mënyrë që të transmetohen ngjarjet në kohë reale. Po ashtu, TV ARTA ofron mundësinë për të gjithë shikuesit që vazhdimisht të dërgojnë materiale, xhirime apo fotografi nga vendi i ngjarjes, për ndonjë parregullsi apo në këtë periudhë gjendjen me vërshime, apo edhe raportime të tjera të cilat mund t’i dërgojnë përmes rrjeteve sociale apo edhe në adresat zyrtare info@koha.net dhe lajmet@kohavision.net”, ka përfunduar ai.