Kronikë

Aksidentohet një fëmijë teksa luante me top në lagje

Një fëmijë rreth 7 vjeç është aksidentuar në orët e mbrëmjes në lagjen “Mati 1” në rrugën “Enver Maloku” në Prishtinë.

Ai është goditur nga vetura derisa luante me top me fëmijët e lagjes dhe i ka rënë topi në rrugë.

Në emergjencë kanë konfirmuar se fëmijës janë duke iu bërë incizimet e thella, por nuk kanë njoftuar nëse gjendja e tij është e rëndë apo jo.

Rastin e ka konfirmuar edhe Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.

“Me datën 08.06.2017 rreth orës 20;55 minuta në rrugën ‘Enver Maloku’ në Prishtinë ka ndodhur aksident komunikacioni rrugor me lëndime ku janë të përfshirë një automjet dhe një këmbësor (fëmijë). Këmbësori ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar në QKUK në Prishtinë për tretman mjekësor”, ka thënë ajo për Arta TV.

Mësohet se ngasësi i automobilit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.