Kronikë

Një muaj paraburgim personit në Rahovec që dyshohet se vrau e pastaj dogji vëllain e vet

Descriptive Text

Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit G. K., shqiptar, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale të vrasjes së rëndë.

“I pandehuri G. K. me 11 shkurt 2020, rreth orës 11:00 në fshatin Bërnjak të Rahovecit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje ka privuar nga jeta vëllain e tij B. K. Në ditën kritike i pandehuri shkon në shtëpinë e të ndjerit, dhe pasi futet nga dera e kuzhinës gjuan me pistolete tre-katër herë në drejtim të të ndjerit, i cili në ato momente gjendej i shtrirë në divan, duke biseduar në telefon. Pas kësaj ngjarje i pandehuri G. K. largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të shtëpisë së tij, për t’u rikthyer në vendin e krimit pas shtatë-tetë orësh, dhe pasi merr trupin e pajetë duke e tërhequr zvarrë me batanije, e nxjerr në oborr prapa shtëpisë, e mbulon me gjësende të ndryshme dhe i vë flakën. Me qëllim që të zhduk gjurmët, mbetjet dhe pjesë të kockave të të ndjerit i hedh jashtë shtëpisë në skaj të rrugës së lagjes”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës për media, me këtë veprime i pandehuri, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjykata njofton se i pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaj, i cili do të llogaritet nga data 09 prill dhe do të zgjasë deri më 09 maj 2020.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Gëzim Pozhegu, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim.