Prokuroria Themelore në Ferizaj përmes një komunikate për media bën të ditur se ka kërkuar paraburgim ndaj dy shtetasve të Shqipërisë për trafikim narkotikësh.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 07 prill 2020, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, dy (2) persona të dyshuar me inicialet V.B., dhe D.P., shtetas të Republikës së Shqipërisë, me vendbanim në Ferizaj, nën dyshimin se të njëjtit në bashkëkryerje kanë poseduar pa autorizim substancë narkotike të dyshuar si kokainë, me ç’rast do të kryenin veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge””, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të njëjtë gjatë kohës së pandemisë nga virusi “Covid-19”, të pandehurit nuk kanë vepruar sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndalimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 17:00 deri në ora 06:00 të mëngjesit, për shkak të rrezikut të përhapjes së sëmundjes ngjitëse nga virusi “Covid-19”, dhe me këtë secili veç e veç do të kryenin veprën penale “Mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.
Tutje thuhet se i pandehuri V.B., ka poseduar pa autorizim armën në kundërshtim me ligjin mbi armët, me ç’rast ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
“Gjithashtu, pas kontrollit nga ana e Drejtorisë së Hetimit të Trafikimit me Narkotik (DHTN)- Ferizaj, të njëjtëve u janë sekuestruar: një (1) veturë “Mercedes Benz”, qese najloni me substancë të dyshuar si kokainë, me peshë prej 102 gramë, tri (3) peshore digjitale, katër (4) telefona “Samsung”, 5635 Euro, një (1) pistoletë e modelit “Cërvena Zastava” e kalibrit 7,65mm si dhe një (1) karikator me 31 copë fishek”, thuhet në komunikatë.
Ndërsa, sot me datë 08 Prill 2020, Prokuroria Themelore në Ferizaj, thotë se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj dy (2) të pandehurve për shkak të dyshimit të veprave penale të lartpërmendura.