Kronikë

30 ditë arrest shtëpiak për të dyshuarin që sulmoi gazetarët në veri të Mitrovicës

Foto: Koha / ilustrim

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, caktimin e paraburgimit për të ndaluarin, M.Gj. nga Mitrovica, i dyshuar për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar“.

Sipas njoftimit për media, ndalimi i të dyshuarit ka ardhur pas një sulmi që i njëjti ka bërë me datë 23 mars ndaj ekipit të gazetës Blic, të cilët kishin shkuar në veri të Mitrovicës për të bërë një kronikë rreth situatës me pandeminë e Korona virusit.

“Që nga dita e sulmit ndaj gazetarëve, i dyshuari ka qenë në arrati, dhe është arrestuar ditën e enjte me datën 02 prill. Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur ditën e sotme me datë 04 prill i ka caktuar të dyshuarit masën e arrestit shtëpiak prej një muaji”, thuhet në njoftim.