Arrestohen tre persona të dyshuar për kontrabandim me mallra Foto: Koha / Ilustrim

Arrestohen tre persona të dyshuar për kontrabandim me mallra

21 February 2020 14:52

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit DHKEK, me datën 20 shkurt 2020 ka arrestuar tre persona nën dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘kontrabandim me mallra’.

Sipas njoftimit për media, DHKEK, Sektori për Hetimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, kanë filluar hetimet që nga data 4 tetor 2019, duke zbatuar masa të veçanta hetimore, me qëllim të nxjerrjes së provave dhe dëshmive për të dyshuarit e përfshirë në veprat penale.

“Pas grumbullimit të provave të nevojshme, me datën 20 shkurt 2020, Policia e Kosovës ka realizuar operacionin policor, me ç’rast janë kapur në flagrancë tre persona të dyshuar duke kontrabanduar mallra”, thuhet në njoftim.

Personat e arrestuar lidhur me këtë rast janë: B. J. lindur më 1971, I. J. lindur më 1974 dhe A. J. lindur më 1999.

Me urdhër të Gjykatës Themelore Ferizaj janë kontrolluar vendbanimet e personave të dyshuar, ku janë gjetur dhe janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e paketimeve të peshkut të ngrirë dhe mishit të derrit, si dhe janë sekuestruar edhe dy automjetet me të cilat janë kontrabanduar mallrat.

Ndaj të dyshuarve është zbatuar masa e ndalimit me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme