Kronikë

Arrestohen tre persona lidhur me një grabitje të armatosur në Prishtinë

Descriptive Text

Policia e Kosovës ka realizuar një operacion që ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar për një grabitje të armatosur.

Në njoftimin dërguar mediave, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë, respektivisht njësiti për Hetime të Përgjithshme, njofton se rasti ka ndodhur më datën 10.02.2020 në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë, ku persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët me forcë (duke i shkaktuar lëndime viktimës), kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme parash nga viktima i cili po transportonte paratë e një dyqani në rrugën e sipërshënuar.

“Që nga dita e raportimit, hetuesit policorë të rajonit të Prishtinës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet operative, ato të kërkimit si dhe të hetimit, me qëllim të lokalizimit dhe kapjes së personave të dyshuar. Aksioni i realizuar sot nga njësiti i Hetimeve të Përgjithshme, ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar: Sh. Sh, mashkull, 34 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës , E. Sh, mashkull, 34 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe H.O, mashkull, 36 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Policia, raporton Koha.net.

Ndërkaq, bëhet e ditur po ashtu se hetuesit rajonalë, të mbështetur nga Njësiti për Reagim të Shpejtë, kanë kryer katër bastisje në lokacione të ndryshme, ku kanë sekuestruar tri automjete, dy pushke gjuetie (pa leje), telefona celularë, një sasi të parave, si dhe gjësende të ndryshme të cilat mund t’i shërbejnë ndriçimit të plotë të këtij rasti, ndërkohë që të njëjtat mund të shërbejnë edhe si dëshmi në procedurë.

Pas intervistimit, personat e dyshuar me aktvendim të prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh.