Kronikë

Policia në Durrës ia konfiskon motorin, pronari e vjedh atë nga pika e bllokimit – arrestohen dy persona

Foto: Ilustrim

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin E. A., 23 vjeç, si dhe ndaluan shtetasin K. H., 24 vjeç, të dy banues në Durrës.

Arrestimi i shtetasit E. A. u bë, pasi ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin K. H., më datën 9 shkurt, ka vjedhur në pikën e bllokimit motorin pa targa, në pronësi të tij që ia kishte bllokuar Policia dhe e kishte fshehur në garazhin e shtetasit K. H.

Shërbimet e Policisë, më datë 11 shkurt bënë të mundur gjetjen e motorit dhe sekuestrimin e tij.

“Shtetasi E. A., pasi mësoi se motorin e sekuestroi Policia, ka kërcënuar bashkëpunëtorin e tij, shtetasin K. H., se në rast se s’do t’ia jepte 3500 euro, do ta vriste”, ka thënë Policia e Shtetit shqiptar.

Nga veprimet hetimore të kryera nga Policia, rezultoi se shtetasi K. H. ishte bashkëpunëtor në vjedhjen e motorit nga pika e bllokimit, fakt të cilin ai e kishte mohuar kur u gjet dhe u sekuestrua motori.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. A. u gjet një dozë më lëndë narkotike heroinë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja, e kryer në bashkëpunim”.