Kronikë

Paraburgim ndaj 4 personave në Ferizaj për kontrabandim me mallra dhe dhënie ryshfeti

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurve F.S.; A.L.; L.B. dhe A.L.1., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “kontrabandimi i mallrave” dhe veprën penale të kryer në vazhdim secili veç e veç “dhënia e ryshfetit”.

“Të pandehurit F.S.; A.L.; L.B. dhe A.L.1., dyshohet se nga tetori 2019 deri në muajin shkurt 2020 në pikën kufitare Hani Elezit, kanë bartur mallra – barna, duke shmangur kontrollin doganor, në atë mënyrë që barnat i kanë siguruar nga persona të paautorizuar në Republikën e Maqedonisë dhe duke dhënë dhurata dhe përfitime tjera pasurore zyrtarëve doganor dhe policor kanë kaluar vijën kufitare pa iu nënshtruar kontrollit doganor, pastaj të njëjtat i kanë dërguar në shtëpinë e të pandehurit F.S, me qëllim që të vihen në qarkullim me çka do të vënin në rrezik shëndetin e njerëzve. Ndërsa me rasti e urdhër kontrollit të shtëpisë dhe lokaleve të pandehurve janë gjetur 6.917 kutia me barna të 199 llojeve të ndryshme, të cilat janë sekuestruar nga policia”, thuhet në njoftim.

Andaj, sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda – Mustaf Tahiri kërkesën e Prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.