Kronikë

Gjykata Themelore në Pejë dënon dy grabitës me nga 5 vjet burgim

Pejë, 12 ,shkurt - Gjykata Themelore në Pejë - Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurve L.U dhe A.K për shkak se:

Më datë 29.12.2019, rreth orës 11:33 minuta ne fshatin Cërrcë, Komuna Istog, me qellim që vetit t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme me mjete të rrezikshme, sëpatë dhe thikë, kanë sulmuar të dëmtuarin R.M, në atë mënyrë që derisa viktima R.M kishte qenë vetëm në shtëpi, të pandehurit me maska në kokë fshihën në bodrumin e viktimës dhe me të vërejtur që viktima po hynë në bodrum, fillimisht i pandehuri A.K me një dru e godet viktimën në kokë, nga e cila viktima rrëzohet për tokë dhe për një çast e humb vetëdijen, e pastaj me urdhrin e të pandehurit L. i pandehuri A ia lidh duart me një litar dhe që të dy të pandehurit, duke i bërë presion nën kërcënimin e një thike dhe sëpate, prona të viktimës, kërkojnë nga viktima paratë dhe çelësat e veturës. Të pandehurit nga viktima marrin çelësat e veturës dhe veturën, njëqind e dhjetë (110) euro dhe dhjetë (10) franga zvicerane dhe një pushke gjuetie dhe ikin nga vendi i ngjarjes. Mirëpo me datën 30.12.2019 ata diktohen nga policia të cilët iu vihen pas dhe në dalje të qytetit të Gjakovës, për shkak të shpejtësisë së madhe, të pandehurit rrokullisen me veturën e viktimës dhe dalin jashtë rrugës së asfaltuar. Policia gjatë kontrollit të veturës gjejnë dhe sekuestrojnë një pushke gjuetie, një maskë dhe një thikë, të cilat ishin përdorur me rastin e grabitjes tek i dëmtuari R.M.

Me këto veprime të pandehurit L.U dhe A.K si bashkëkryes kane bërë veprën penale të grabitjes nga neni 317 par. 3 lidhur me par. 1 si dhe nenin 31 te KPK-së.

Të pandehurve L.U dhe A.K, secilit veç e veç gjykata iu shqiptoj dënim me burg në kohëzgjatje prej pesë (5) vjet, në të cilin dënim iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe dënim me gjobë në shumë prej njëmijë (1.000) euro.

Nëse të pandehurit dënimin me gjobë nuk e paguajnë në afat të caktuar, atëherë dënimin me gjobë gjykata do ta zëvendësojë me dënim burgu duke iu llogaritur një ditë burgim për çdo 20 euro të gjobës. Të pandehurve iu vazhdohet paraburgimi pas shpalljes se aktgjykimit, deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar. Të pandehurit, secili veç e veç obligohen që në emër të shpenzimeve të procedurës penale të paguajnë gjykatës shumën prej 25 € dhe ne emër te paushallit gjyqësor shumën prej 25 € dhe shumën prej 50 euro në emër të kompensimit për viktimat e krimit, në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzuar në kontest civil.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.