Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se H.B është dënuar me 4 vjet e 10 muaj burgim pasi kishte goditur për vdekje motoçiklistin D.B më 23 gusht 2018 në rrugën rajonale Fushë Kosovë – Gllogoc.
Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale bën të ditur se ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit H.B, për shkak të veprës penale “Rrezikim i trafikut publik”.
“I akuzuari H.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite e 10 (dhjetë) muaj, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Të akuzuarit H.B në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga data 23.08.2018 e deri me datë 21.02.2019”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se i akuzuari H.B është akuzuar nga Prokuroria pasi që me datë 23.08.2018 rreth orës 14:50 në rrugën rajonale Fushë Kosovë – Gllogoc, në fshatin Grabovc i Vogël.
I akuzuari H.B deri sa ishte duke drejtuar automjetin transportues, nga pakujdesia dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe kushteve të rrugës e kishte goditur motoçiklistin D.B dhe si pasojë e goditjeve kishte ndërruar jetë tani i ndjeri D.B.
Pala ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës.