Kronikë

Aktakuzë për fajde, rastin e raportoi njëri që s’arriti ta paguante kamatën

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit K.B., për shkak të veprës penale “Fajdeja”, nga neni 331, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri K.B., nga muaji shkurt e gjerë në muajin shtator të vitit 2019, u ka dhënë pesë personave shuma të ndryshme të parave me fajde, me kamata mujore nga 10 deri në 20 %, derisa njëri nga të dëmtuarit nuk kishte mundësi t’ia paguante të pandehurit shumën prej 36.000 mijë eurove, sipas kamatës prej 20%, e pas presionit të vazhdueshëm nga i pandehuri për realizimin e pagesës, i dëmtuari raporton rastin në organet e hetuesisë.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurin ta shpallën fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në raportin e prokurorisë.