Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin për shpërthimin në Zhur

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin për shpërthimin në Zhur

29 January 2020 14:43

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar masën e paraburgimit për Iran Badallin, i cili dyshohet për shpërthimin në Zhur, e që i mori jetën një polici dhe plagosi dy të tjerë.

Të martën në mbrëmje, policia po kryente bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, nën dyshimin për dhunë në familje dhe posedim të substancave narkotike. Gjatë kontrollit, pati një shpërthim që vrau një polic e plagosi dy të tjerë, por edhe një fëmijë nga familja e të dyshuarit.

Për Badallin po kërkohet paraburgimi për veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Ky është njoftimi i plotë i Prokurorisë Themelore në Prizren:

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin se me datë 28 janar 2020, rreth orës 20:00 të mbrëmjes, gjatë një operacioni bastisjeje në shtëpinë e të dyshuarit I.B., nën dyshimin për dhunë në familje dhe posedim të substancave narkotike, në fshatin Zhur – Komuna e Prizrenit, ka ndodhur një shpërthim, ku si pasojë e këtij shpërthimi kanë pësuar lëndime tre zyrtar policor dhe një fëmijë (nga familja e të dyshuarit). Si pasojë e lëndimeve zyrtari policor me inicialet S.Th., ka ndërruar jetë, ndërsa dy zyrtarët tjerë policor me inicialet A.M, dhe J.H., si dhe fëmiu gjenden të shtrirë në spital nën përkujdesje intensive mjekësore por jashtë rrezikut për jetë.

Gjatë veprimeve të ndërmarra nga ana e Prokurorisë, është arrestuar i dyshuari me inicialet I.B, për shkak të veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ndërsa, me urdhër të prokurorit, i dyshuari I.B., është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, kurse gjatë ditës pritet që në Gjykatën Themelore në Prizren për të njëjtin të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Prokuroria Themelore në Prizren, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme