Nga 242 aksidente më 2019 në Lipajn, shtatë persona vdiqën

Nga 242 aksidente më 2019 në Lipajn, shtatë persona vdiqën

Agim Ademi Agim Ademi 28 January 2020 17:37

Policia e Kosovës, Stacioni në Lipjan, nëpërmjet një ceremonie solemne, të martën, ka prezantuar raportin dhe analizën e punës së tyre për periudhën janar-dhjetor të vitit 2019.

Ky raport tregon për një varg sfidash, vështirësi por edhe një varg të arritura gjatë 2019-s.

Sipas përfaqësuesve të Policisë së Kosovës në Lipjan, gjatë vitit të kaluar, situata në këtë komunë ka qenë e qetë dhe stabile, andaj numri i rasteve të raportuara ka shënuar rënie për 2.5 për qind, pastaj rënie prej 4. 5 për qind kanë shënuar edhe raste për vepra penale, raporton “Koha Ditore”.

Ndërkaq rritje prej 20 për qind kanë shënuar rastet e personave të arrestuar.

Numri i aksidenteve në trafikun rrugor, sipas PK-së, ka shënuar gjithashtu rritje prej 23 për qind derisa janë regjistruar gjithsejtë 242 raste të aksidenteve në komunikacion, prej tyre gjashtë raste me fatalitet ku humbën jetën 7 persona.

Ndërkaq numri i tiketave të shqiptuara për kundërvajtje në trafik ka shënuar rënie prej 18 për qind. Po ashtu, rënie prej 30.5 për qind kanë shënuar edhe rastet e urdhëresave të Gjykatës.

Sipas raportit, gjatë 2019-s janë shënuar gjithsejtë 9 mijë e 354 tiketa, kurse 292 tiketa janë shqiptuar për gjykatë.

Bashkim Bytyqi, Komandant i Stacionit të Policisë në Lipjan, me këtë rast ka thënë se po synojnë të shënojnë rritje edhe më të madhe të performacës gjatë këtij viti. Ai një falënderim të veçantë ka bërë për mediat dhe gazetarët të cilët kanë pasqyruar rastet që ndërlidhen me sigurinë dhe aktivitetet tjera policore.

“Gjatë vitit 2019 janë raportuar gjithsejtë 1,158 raste, apo shprehur në përqindje kemi një zbritje prej 2.5 për qind më pak në krahasim me vitin 2018. Policia e Stacionit në Lipjan ka realizuar detyrat me sukses dhe përkushtim në promovimin dhe ndërtimin e partneritetit me bashkësinë me qëllim të ngritjes së sigurisë në anë të bashkëpunimit të aktiviteteve me të gjithë aktorët që e mbulojnë fushën e sigurisë”, ka thënë midis të tjerash Bytyqi.

Ndërkaq sipas raportit të Policisë së Kosovës në Lipjan, prioritet për 2020 mbetet rritja e sigurisë së përgjithshme dhe krijimi i një ambienti të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët sipas objektivave policore.

Si prioritet mbetet ulja e krimit në të gjitha veprat penale, ulja e rasteve të aksidenteve të trafikut rrugor, rritja e zbulueshmërisë së veprave penale, rritja e bashkëpunimit me qytetarë dhe disa prioritete të tjera me qëllim të rritjes së sigurisë së qytetarëve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme