Kronikë

Çifti bashkëshortor që u gjet i vdekur në Prizren, dy ditë më parë kishte ardhur nga Suedia

D.H rreth 60-vjeçar dhe S.H 55-vjeçare, burrë e grua, mëngjesin e së mërkurës janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre në Prizren.

Nga hetimet e para të rastit, çifti dyshohet të jetë vrarë, pasi që ekipet e sigurisë kanë konfiskuar një armë zjarri brenda shtëpisë, raporton KTV.

Të dy këta, kanë jetuar në Suedi, e që nga 20 janari kishin ardhur për pushime në Kosovë.

Zyrtarët policorë kanë thënë se ende nuk ka ndonjë të dyshuar në lidhje me këtë rast.

Në Prokurorinë Themelore në Prizren kanë dhënë detaje që tregojnë dyshimet e para të vdekjes së dy viktimave, ku në trupat e tyre janë vërejtur plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit, por nuk konfirmohet mënyra se si është kryer vrasja.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalur prokurori kujdestar së bashku me policinë dhe ekipin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre. Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, në trupat e viktimave janë vërejtur plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Gjatë shikimit në vendin e ngjarjes, është gjetur një armë e zjarrit – pistoletë, për të cilën dyshohet se mund të jetë arma me të cilën është kryer vepra penale. Me urdhër të prokurorit trupat e pa jetë të viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Prokuroria Themelore në Prizren, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, ka thënë Prokuroria Themelore në Prizren.

Pavarësisht insistimit të KTV-së, familjarë të viktimave nuk kanë dashur të flasin para kamerës, derisa prapa saj kanë pohuar se të ndjerit nuk kanë pasur asnjë problem, derisa kanë thënë se janë të painformuar rreth ngjarjes tragjike.