40 vjet burgim dy personave që kryen vrasje në vitin 2009 në Lipjan Foto: Koha / ilustrim

40 vjet burgim dy personave që kryen vrasje në vitin 2009 në Lipjan

21 January 2020 14:45

Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur Aktgjykimin kundër dy të akuzuarve G.R dhe O.S.

Në njoftimin për media theksohet se i akuzuari G.R është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 vjet për veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 147 par.3, 5 dhe 7 lidhur me nenin 23 të KPK-së.

Të akuzuarit G.R në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 30.04.2009 e tutje.

I akuzuari O.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 10 vjet për veprën penale Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale nga neni 388 par.1 lidhur me par.3 të KPK-së.

Të akuzuarit G.R i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më shumë se sa dënimi i shqiptuar me aktgjykim, ndërsa të akuzuarit O.S i ndërpritet masa e paraburgimit më datë 21.01.2020.

“G.R dhe O.S janë akuzuar nga Prokuroria pasi që me datë 29.04.2009 bashkë me një person të panjohur me nofkën “Qeli” në bazë të marrëveshjes paraprake e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme e kishin rrëmbyer tani të ndjerin N.H, e me dashje që ta privojnë nga jeta e kishin goditur me mjet të fortë në kokë, ja kishin lidhur këmbët dhe duart, ja kishin vendosur një qese najloni në kokë dhe e kishin futur në veturë pastaj e kishin dërguar në një lokacion në mes të fshatit Smallushë dhe Dobratin, Komuna Lipjanit, ku më pas me qëllim të fshehjes së gjurmëve trupin e të ndjerit e kishin djegur”, thuhet në njoftim.

Palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme