Aktakuzë ndaj dy personave sepse iu bashkëngjitën ISIS-it Gratë e kthyera nga Siria në Kosovë. Foto: Reuters / ilustrim

Aktakuzë ndaj dy personave sepse iu bashkëngjitën ISIS-it

14 January 2020 16:15

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamenti Special, kundër dy personave, V.K dhe F.D., për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Prokuroria njofton se e pandehura V.K., me qëllim që të marrë pjesë në veprimtarinë e grupeve terroriste ISIS në Siri, më 30.03. 2015, duke vepruar me dashje dhe në dijeni për veprimet e veta, është nisur për në Shkup-Maqedonia e Veriut, së bashku me bashkëshortin e saj M.B. dhe me të pandehurit e tjerë, ndër ta edhe F.D., për të arritur në drejtim të Stambollit- Turqi, e më pas për të vazhduar për në Siri, ku i janë bashkangjitur grupit terrorist.

“E pandehura këto veprime i ka kryer në vazhdimësi, deri në kohën kur është dorëzuar te forcat kurde, në fillim të vitit 2019, e ku ka qëndruar për rreth dy muaj, kurse më 20.04.2019 është deportuar në Kosovë. Me këto veprime, e pandehura V.K. ka kryer veprën penale ‘Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist’, nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së, lidhur me neni 3 të Ligji nr.05/L-002, për Ndalimin e bashkimit në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit”, thotë Prokuroria Speciale, raporton Koha.net.

Ndërkaq, sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri F.D., me qëllim që të marrë pjesë në veprimtarinë e grupeve terroriste ISIS në Siri, më 30.03.2015, duke vepruar me dashje dhe në dijeni për veprimet e veta, fillimisht nga Kosova ka shkuar në Shkup, së bashku me gruan e tij, të pandehurën G.A. dhe me të pandehurit e tjerë, ndër ta M.B dhe V.K, kanë udhëtuar në drejtim të Stambollit-Turqi, e ku më pas ka hyrë në territorin e Sirisë dhe i bashkëngjitet grupit terrorist ISIS.

Me këto veprime, Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se i pandehuri F.D. ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së, nenin 3 të Ligji nr.05/L-002, për Ndalimin e bashkimit në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme