Kronikë

1 muaj paraburgim mësuesit në Pejë që ngacmoi seksualisht nxënësen e tij të mitur

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin XH.J, mësues në një shkollë të Pejës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “sulm seksual” ndaj një nxënëse të tij.

Gjykata thotë se “me datë 27.12.2019, rreth orës 07:20 minuta, në Pejë, në kabinetin e shkollës, i pandehuri XH.J fillon që ta prekë për qëllime seksuale nxënësen e tij të mitur, ashtu që i njëjti një ditë më parë i kishte thënë të miturës që të vinte në kabinetin e shkollës me qëllim që t’i ndihmojë për t’i nxjerrë statistikat e suksesit, ashtu që e mitura ditën kritike pasi që arrin në shkollë dhe shkon në kabinet, vjen mësimdhënësi dhe e ngacmon të miturën e cila arrin që të largohet nga shkolla dhe i lajmëron familjarët e saj”.

“Me këto veprime, i pandehuri XH.J kishte për të kryer veprën penale ‘sulm seksual’. Të pandehurit XH.J i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thotë Gjykata Themelore e Pejës.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.