Kronikë

Kanoset një mjek në Vushtrri, të dyshuarit thonë se s’morën trajtim të mirë

Mbrëmë në Vushtrri raportohet se një mjek kujdestar në emergjencë është kanosur nga dy të dyshuar.

Sipas policisë në Vushtrri, ata janë shprehur të pakënaqur me tretmanin që u është ofruar njërit prej të dyshuarve nga ky mjek.

“Nga emergjenca në rrugën ‘’Dëshmoret e kombit’’, në Stacionin Policor në Vushtrri, është raportuar një rast kanosje- sulm. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe dy të dyshuarit M.G., 60 vjeçar, P.G., 29 vjeçar i kanë shoqëruar në stacionin policor, ku si provë materiale është konfiskuar një armë e ftoftë (thikë) e cila dyshohet që është përdorur për kanosje ndaj viktimës-mjekut kujdestar, pasi që të dyshuarit në fjalë kanë shprehur pakënaqësi ndaj tretmanit që ju është bërë njërit nga ta”, thuhet në raport.

Policia thotë se pas procedurave intervistuese, me urdhër të prokurorit të rasteve, të dyshuarit Sh.M., 41 vjeçar, M.G., 60 vjeçar, P.G., 29 vjeçar janë liruar për procedurë të rregullt, dhe ndaj tyre janë iniciuar rastet “Kanosje dhe Sulm”.