Kronikë

Një arsimtare u arrestua për fyerjen e nxënësve në një shkollë në Shkabaj, kërkohet largimi i saj

Me dyshimet se kishte fyer një nxënës të klasës së 9-të, javën e kaluar Policia e Kosovës ka ndaluar një mësimdhënëse në fshatin Shkabaj të Prishtinës.

Arsimtarja e dy lëndëve të kimisë dhe fizikës, Shukrije Tmava, është arrestuar pas denoncimit nga ana e një familjari, raporton KTV.

KTV-ja merr vesh se pas fyerjeve që dyshohet se kjo mësimdhënëse ia kishte bërë nxënësit, ai ishte larguar nga ora dhe pas ardhjes së familjarit të tij, ishte thirrur policia, e cila e kishte shoqëruar Tmavën për në stacion policor.

Nxënës të tjerë të kësaj shkolle thonë të jenë të shqetësuar me sjelljen e kësaj mësimdhënëseje e cila vazhdimisht u bërtet atyre dhe i ofendon.

Të tjerë nxënës kanë rrëfyer ofendime të tjera, të cilat sipas tyre, u bënë nga kjo mësimdhënëse.

KTV-ja merr vesh se edhe stafi tjetër i shkollës dhe kolegë të kësaj mësimdhënëseje disa herë radhazi janë kërcënuar nga kjo arsimtare.

Por, mësimdhënësja Shukrije Tmava, e kontaktuar nga KTV-ja, ka mohuar se ajo kishte ofenduar nxënësit. Ajo ka thënë se ajo është cak i këtyre ofendimeve të cilat sipas saj, ka një kohë që nxënësit po ia bëjnë e asaj.

E për të gjitha këto shqetësime të ngritura nga ana e nxënëse të shkollës fillore “Dituria” në Shkabaj të Prishtinës, drejtori i kësaj shkolle Naser Abazi nuk ka dashur të japë sqarime. Ai ka thënë se për të gjitha këto duhet të merret Drejtoria e Arsimit në Prishtinë, e cila sipas tij, është mirë e informuar për këtë problem.

Derisa Policia e Kosovës përmes një përgjigjeje me shkrim, ka konfirmuar se javën e kaluar, policia i kishte shoqëruar për në stacion policor palët e përfshira në këtë incident, por që pas intervistimit, prokurori i shtetit nuk kishte iniciuar hetime.

“Lidhur me incidentin e raportuar më datën 14 nëntor në stacionin policor të Veriut, në Prishtinë, ju njoftojmë se policia ka shoqëruar në stacion policor palët e përfshira në incident dhe pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të shtetit, nuk është iniciuar rast”, ka thënë Policia e Kosovës.

Nga ana tjetër, zyrtarë të drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, kanë thënë se nuk mund të japin detaje për këtë, pasi po presin raportin zyrtar të shkollës për të vendosur për hapat e mëtutjeshëm, konform procedurave dhe dispozitave ligjore.

Nga ana tjetër, prindër të kësaj shkolle, përmes një letre drejtuar KTV-së i kanë thënë të jetë të shqetësuar me këtë situatë të krijuar në shkollë.

Prindërit të cilët kanë dashur të mbesim anonimë, kanë thënë se ky problem ka nisur qysh 15 vjet më parë, kur kishte pasur edhe dhunë fizike në këtë shkollë.

Ata më tutje, kanë thënë se kërkojnë nga organet kompetente që të ndërmerren masa për këtë rast.

“Ky problem ka filluar që para 15 vjetëve, ku është ushtruar dhunë fizike mes palëve në këtë shkollë, gjë për të cilën janë njoftuar të gjitha institucionet (DKA, Policia, Gjykata). Ajo që më së paku kanë mundur të bëjnë është të largohen personat në konflikt brenda shkollës, e që s’e kanë bërë kurrë. Ne si prindër, jemi të indinjuar, sepse fëmijët tanë po pësojnë më së shumti në këtë problem. Kërkojmë nga organet kompetente, që t’i shqyrtojnë kërkesat tona të vazhdueshme vite me radhë. Ky problem të zgjidhet pa e dëmtuar asnjërën palë”, kanë thënë prindërit e shkollës “Dituria” në Shkabaj.

KTV-ja merr vesh gjithashtu se 9 vjet më parë, një mësimdhënës i kësaj shkolle ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i mësimdhënëses Shukrije Tmava, derisa rasti kishte përfunduar në gjykatë.